Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha pasi ky i fundit deklaroi se në vend futet naftë kontrabandë. Rama i kërkoi që faktet që ai ka t’i dërgojë në SPAK dhe të mos vendosë gjoba nga foltorja e Kuvendit. Ai tha se taksa e karbonit në çmimin e naftës nuk hiqet, duke shtuar se shqiptarët sot e paguajnë energjinë elektrike më lirë se në kohën e qeverisjes së demokratëve.
“Ti thua tani që çmimi i energjisë është rritur. Energjia paguhej me dy fasha. Ti dhe para presjes je i qametshëm. Në fashën poshtë kishte hyrë kyçi dhe maçi duke mbyllur sytë hajde se ky është i joni. Që nga drejtora policie. Ne e hoqëm fashën dhe çmimin e çuam 9.5 lekë për të gjithë konsumatorët familjarë. Të gjithë ata që paguanin 13.5 lekë, energjia u bë 9.5 lekë. Për ata që paguanin 7.7 me hile u rrit. Për ata që 7.7 e meritonin ne vendosëm mburojën sociale.
Faktet nuk janë opinione. Faktet janë fakte dhe energjia në faturën e familjeve shqiptare që nuk ishin brenda kategorive të fashës u ul. Për ata të tjerët që gënjenin shtetit dhe vidhnin u rrit. U bë 9.5. Hajde thuaj si mund të ulet. Mos thuaj që ishte i ulët dhe u rrit. Është i pavërtetë. Më the të jap emra për kontrabandë. Akuzove një person këtu dhe more duartrokitje. Ka shifra Lulzim. Në vitin 2013 ju zhdoganonit 313 mijë ton. Tani është zhdoganuar mbi 400 mijë. Ndryshimi mes meje dhe teje është që nuk mbaj njerëz nëpër gojë. Nuk përdor të tjerë që janë në punën e tyre për të bërë politikë. E di gjithë Shqipëria që këto janë gjoba Lulzim. Goditet një person me emër dhe papritur dhe pa kuptuar mbaron sulmi. Shko dili për zot te SPAK-u. Çoji atje të dhënat e tua.
SPAK nuk është bërë për të ndjekur as ty as mua. Ti je dhe djalë që kupton. Janë shifra shumë të thjeshta. Dhe për ta mbyllur me çmimin e karburantit. Unë nuk e fsheh. Në çmimin e karburantit ka një taksë karboni. Sot shqiptarët që shkojnë për të blerë karburant e blejnë më shtrenjtë se kur ishit ju në pushtet apo e blejnë më lirë. Ajo taksa e karbonit nuk ka për t’u hequr. Nuk ndosin pensionistët as fëmijët dhe as familjet në nevojë. Sa i përket Shqipërisë. Që nga Ismail Qemali e deri më sot, nuk i bën dot aq kilometra sa kam bërë unë për shkak të detyrës. Sa duar kam shtrënguar unë ty të duhen disa jetë edhe sikur të fillosh të zgjohesh herët. Me këtë regjim që ke sot, të duhen shekuj dhe shekuj. Unë i shoh atje”, tha Rama.