Kryeministri Edi Rama niset nesër drejt Suedisë me ftesë të kryeministrit suedez, për të marrë pjesë në forumin e nivelit të lartë mbi kujtimin e Holokaustit, në Malmo, si dhe për të luftuar antisemitizmin. Forumi ishte planifikuar për tetor 2020, 20 vjet pas forumit të parë ndërkombëtar mbi Holokaustin në Stokholm, por u shty për shkak të pandemisë dhe do të zhvillohet me 13 tetor 2021.
Kujtojmë se në tetor të 2020, Shqipëria iu bashkua 34 vendeve anëtare të Aleances Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, (IHRA) mes të cilave edhe Gjermania, duke miratuar rezolutën për përkufizimin e përdorshëm për antisemitizimin, të përcaktuar nga kjo Aleancë. Rezoluta mori votat unanime pro të deputetëve të pranishëm dhe asnjë votë kundër.
‘Antisemitizmi është një perceptim i caktuar për hebrenjtë, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve. Manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit drejtohen ndaj individëve hebrenj ose jo hebrenj dhe/ose ndaj pronës se tyre, ndaj institucioneve dhe objekteve fetare të komunitetit hebraik’, thekson rezoluta përkufizimin e përdorshëm të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit./m.j