Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në një takim ditën e sotme Përfaqësuesen e Lirisë së Medias të OSBE, Teresa Ribeiro.
Meta ka zbardhur në Facebook detaje nga takimi me Roibeiro, duke treguar se ka theksuar gjatë takimit se media e lirë është një nga shtyllat parësore të demokracisë.
Teksa falenderon OSBE për kontributin që ka dhënë në mbështetje të medias së lirë dhe të pavarur, Presidenti Meta bën thirrje që të gjithë së bashku të angazhohen në mënyrë që të mos lejojnë që jeta dhe karriera e gazetarëve të cënohet nga ata me pushtet politik apo ekonomik.
Postimi i Metes:
Kënaqësi të takohesha me Përfaqësuesen e Lirisë së Medias të OSBE, Znj.Teresa Ribeiro.
Theksova se media e lirë është një nga shtyllat parësore të demokracisë. Aty ku nuk funksionojnë institucionet demokratike dhe nuk respektohen të drejtat themelore, aty gjen gjithnjë e më shumë censurë dhe autocensurë mediatike.
Me këtë rast, falenderova Znj.Ribeiro për kontributin, që OSBE dhe Zyra e saj, kanë dhënë në mbështetje të medias së lirë dhe të pavarur, si dhe përpjekjen e tyre për të prapësuar nismat, që synojnë kufizimin apo kapjen e hapësirës mediatike në Shqipëri.
Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi, që në asnjë rrethanë, jeta, karriera dhe kushtet e punës së gazetarëve profesionistë të mos cenohen prej askujt me pushtet politik apo ekonomik./m.j