Nga Plator Nesturi
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u largua nga detyra duke paraqitur dorëheqjen me motivacionin: “për të qëndruar më pranë familjes”. Në gjykimin tuaj ishte shkarkim apo dorëheqje?
Ajo që mbetet nga ndryshimet që bëhen kur ndërrohet një titullar i lartë, sidomos në rastin e Policisë së Shtetit, është fakti jo nëse u dorëhoq apo u shkarkua, por sa është i vlefshëm për vajtur në një tjetër nivel. Në opinionin publik prej kohësh kish zënë vend idea se policia e shtetit kish nevojë për ndryshime të thella, për tu shndërruar në një institucion më profesional dhe më efikas në luftën kundër krimit. Është vetë epoka e ndryshimeve në të cilën jemi dhe që imponon reforma dhe transformime. Në këtë sens, nuk mendohej se Veliu mund të ish imazhi për ta çuar policinë e shtetit drejt këtij ndryshimi. Ndaj dhe ndërrimi i titullarit është i domosdoshëm. Nga ajo që u ndje pas ndryshimit të kreut të policisë së shtetit vërehet se dhe vetë Veliu dukej i lodhur tashmë në krye të institucionit, dhe kjo e bën dy herë më të detyrueshme ndërrimin.
Ish-kryepolici është akuzuar nga opozita, por jo vetëm prej saj si “shërbëtor i pushtetit”, kjo edhe për shkak të disa ngjarje të rënda si vrasjet në Elbasan, vrasja e 25-vjeçarit nga policia që çoi në dorëheqjen e ministrit Lleshaj, apo edhe dy policë të ekzekutuar në Lezhë brenda tetë muajve. Si e vlerësoni punën e Veliut në katër vite drejtim?
Më thoni një emër nga drejtuesit e mëparshëm të policisë së shtetit që të mos jetë akuzuar nga opozita si “shërbëtor i pushtetit”. Dhe kjo ka ndodhur në çdo kohë dhe nga çdo lloj opozite në harkun e 30 viteve të fundit. Për secilin nga drejtuesit e më mëparshëm ka dritë hije, apo incidente të caktuara që kanë vënë në dyshim imazhin e tyre. Pushteti në fakt ka peshën e tij dhe nuk kemi ndonjë rast kur kreu i policisë t’i jetë vënë barrikadë e të mos i ketë shërbyer interesave të caktuara të maxhorancës në momente ta caktuara. Ky është një fakt që e vuajmë dhe sot e kësaj dite. Pra faktin që politika ka qenë imponuese ndaj profesionalizmit dhe detyrës për të zbatuar ligjin. Në këtë aspekt dhe Veliu ka qenë vijimësi e qëndrimeve të mëparshme të titullarëve të policisë së shtetit. Nuk ka qenë një shembull ndryshe pra, dhe kjo kondicionohet dhe nga fakti se si janë përzgjedhur drejtuesit e policisë. Por të akuzohet sot se Veliu ka qenë si delja e zezë dhe plot mëkate në drejtimin e tij, kjo nuk më duket e saktë. Nëse i hedhim një sy të shkuarës, do të shihnim se drejtues të ndryshëm kanë shumë kufoma në dollap. Kemi ish drejtues që kanë patur përgjegjësi direkte në shumë ngjarje të rënda dhe që çuditërisht këto ngjarje duket sikur janë harruar nga drejtësia për tu hetuar. Në rastin e Veliut nuk më duket se incidentet e ndodhura kanë ardhur si përgjegjësi direkte e tij. Mund të atakohet për mënyrën e drejtimit, sa kanë qenë profesioniste apo efikase masat që ka marrë, por jo që të akuzohet për përfshirje direkte në ngjarje, siç ka ndodhur jo rrallë më parë.
Kryeministri Rama emëroi Gledis Nanon në krye të Policisë së Shtetit, një personazh i spikatur sidomos në luftën kundër terrorizmit dhe me certifikata mirënjohjeje nga SHBA-ja. A ishte zgjedhja e duhur, pasi ka edhe një vlerësim për figurën e tij edhe nga opozita?
Duket se përzgjedhja e drejtuesit të ri ka gjetur një vlerësim nga të gjitha palët. Dhe kjo nuk besoj se ka të bëjë me anshmëritë politike të Gledis Nanos, por me imazhin që ka përcjellë dhe profesionalizmin që ka paraqitur. Është imazhi i një lloji të ri drejtuesi dhe që jep shpresë se mund të iniciojë një periudhë ndryshimesh në polici për ta shndërruar më profesionale dhe në funksion të zbatimit të ligjit. Vetë fakti që Nano është një kuadër që ka kaluar të gjitha shkallët e karrierës në polici, ka patur specializimet e duhura dhe ka pasur arritje konkrete në punën e vet, janë bazë e mirë që i shërbejnë dhe misionit që i është ngarkuar. Nga ana tjetër një profesionist jep më garanci si te qytetarët por edhe te opozita, për të qenë mbi palët dhe në shërbim të ligjit. Pra, vendosja e Nanos në krye të policisë i shërben më së pari zbatimit me më profesionalizëm të detyrave që iu ngarkon ligji, pa devijuar prej tij dhe ku gjithkush është barabartë para tij, dhe nga ana tjetër edhe vetë reformën që kërkohet për transformimin e armës së policisë.
Në 30 vitet e fundit, pjesa me e madhe e drejtuesve të policisë janë akuzuar si “të lidhur politikisht me pushtetin”, përse ndodh kjo, edhe pse strukturat policore veprojnë me ligj të veçantë, jo në varësi qeveritare?
Pavarësisht ligjeve, ka shumë rëndësi vullneti politik. Ne shpesh herë kemi theksuar që ligjet i kemi të mira, por ato nuk zbatohen siç duhet. Këto janë dhe konsatimet e ndërkombëtarëve ndërsa monitorojnë procesin e integrimit në BE të Shqipërisë. Pra, nuk ka rëndësi si është ligji, në varësi qeveritare apo jo, kur kjo është varur nga politika dhe që ka përdorur si policicinë ashtu dhe institucionet të tjerë, si armë në shërbim të tyre. Ndaj e theksoj që ka rëndësi vullneti politik i një maxhorance që kërkon institucione në shërbim të tij, apo që angazhohet për të krijuar institucione të pavarura e që i shërbejën shtetit e jo pushtetit. Në këto 30 vite i kemi parë të gjitha. Por fatkeqësisht ajo që ka zënë vend ka qenë trysnia e politikës që ta kenë në përdorim si policinë ashtu dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Viti 97 ishte kulmi i këtij përdorimi, pra si të policisë, ushtrisë, shërbimeve sekrete e institucionet me rradhë, në shërbim të pushtetit e në kundështim me interesat e vendit e të qytetarëve. Në vijëmësi ka patur përdorime në varësi nga situatat por që gjithësesi e kanë vëndosur si shërbëtore të pushtetit dhe policinë. Këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar asnjë maxhorancë, por ajo çfarë sot ka rëndësi, është se duket një vullnet për të transformuar policinë. Dhe transformimi nuk shkon në kahun e përdorimit të saj nga pushteti, por në kahun e ligjit dhe të profesionalizmit. Dhe ky është një zhvillim që duhet mbështetur dhe përkrahur, pas ii shërben jo thjesht policisë por vetë shtetit dhe shoqërisë.