Partia Demokratike ka hedhur poshtë deklaratën e deputetit Oerd Bylykbashi, i cili përmes një statusi në Facebook deklaroi se kryeministri Edi Rama i kishte ofruar PD-së disa bashki më shumë në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut.
Burime nga Partia Demokratike kanë sqaruar se selia blu nuk ka pasur asnjëherë asnjë hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim me Partinë Socialiste përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut.
Të njëjtat burime kanë shtuar se nëse vetë Bylykbashi është kontaktuar nga kryeministri Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm që duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë, që në rastin konkret është Alfred Rushaj.
“Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë,”- u shprehën nga PD.
Deputeti Bylykbashi ka denoncuar sot një pakt që sipas tij është një ‘Horse trading’, (pwzar kuajsh) që kryeministri Edi Rama i ka ofruar Partisë Demokratike.
Me anë të një postimi të bërë në ‘Facebook’, Bylykbashi shkruan se Rama i ka kërkuar opozitës që të zgjasë mandatin e organeve të Vettingut në këmbim të shtimit të bashkive në hartë, si pjesë e Reformës Territoriale, sipas interesave elektorale të PD./m.j