Zbardhur dosjen e hetimit të SPAK që çoi në pranga ish drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin. Sipas dosjes thuhet se Gëllçi skualifikoi padrejtësisht një kompani nga gara për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin “Agro” të RTSH, prej 100 milionë lekësh.
Ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se te merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për kanalin AGRO.
Sipas SPAK, ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Thoma Gellço ka zhvilluar një procedurë prokurimi, për pajisje për një kanal televiziv,(RTSH AGRO) përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e këtij kanali televiziv, gati një viti përpara marrjes së miratimit nga AMA dhe 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali.
Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e qendrave vendore audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër, operatorëve sportivë,etj.
Po kështu i hetuari Thoma Gellço, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues, në datën 24.12.2018, ku si afat përfundimtar i zbatimit të kontratës është përcaktuar data 06.02.2019. në datën 15.02.2019 ka nënshkruar një “kontratë shtesë për blerje pajisje për kanalin RTSH Agro” duke e zgjatur afatin deri në dt 22.02.2019.
Gjithashtu në dosje thuhet se ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH -së, me dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale, duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të jene vetëskualifikuar për shkak të mospërmbushjes së afatit 45 ditor si dhe keqmenaxhuar fondet publike, duke konsumuar kështu elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”./ Report TV