Një tjetër shtatzënë ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 në Shqipëri. Gazetarja e “ABC”, Ema Shazivari mëson se vajza që ndërroi jetë ishte 26-vjeçe. Ajo ishte në muajt e parë të shtatzënisë.
Pas infektimit me sëmundjen dhe rëndimit të gjendjes shëndetësore, 26-vjeçarja ishte shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, por pavarësisht ndihmës së mjekëve ndërroi jetë. Sot u shënuan 7 humbje jete në vend dhe 445 qytetarë të infektuar.
Aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 170 pacientë, nga të cilët 22 janë në gjendje më të rënduar. Janë shëruar 849 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 163,867 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.
“Çdo qytetar mbi 18 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Nëse dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127” mbyllet apeli./m.j