Në studion e Zona Zero në Top News u diskutua sot çështja e biznesmenit indian, i cilësuar si maja e ajsbergut të një skandali gjigant financiar që përfshinte edhe Shqipërinë.
Ndaj Nitin Sandesara dhe vëllait tjetër ka pasur një urdhër i gjykatës së New Dehli për ekstradimin e tyre. Ata mendohen se janë ende në Shqipëri, e kanë edhe pasaporta shqiptare.
Për këtë foli në një lidhje skype me emisionin gazetari indian Virendra Tiwari. Ky i fundit tha se “agjencitë indiane janë duke punuar, por nuk po marrin mjaftueshëm mbështetje përndryshe ata do ishin kapur”.
“Ajo që bëjnë zakonisht i lëvizin paratë nga një bankë në një bankë tjetër, e më pas në një tjetër. Ata i premtuan bankave se po zgjerojnë bizneset e tyre dhe nuk kanë për t’u larguar dhe se kanë për t’i kthyer paratë. Ata kanë pasur një lidhje me politikën. Nënshtetësia e tyre shqiptare ka ndikuar në mos-ekstradimin e tyre,” u shpreh ai.
Ndërkohë gazetarja Lindita Çela tregoi se kur paraqiten në kalime kufijsh ata paraqesin gjithnjë pasaportën shqiptare.
“Hetimet e mia të fundit për këta vëllezërit ka qenë në fillim të vitit 2021. Në emaile-t zyrtare policia ia kalon topin Prokurorisë së Tiranës. Arsyeja kryesore është se këta vëllezër kanë nënshtetësi shqiptare dhe kërkesa e autoriteteve indiane është për ekstradimin e tyre atje.
Është tentuar të ketë bashkëpunim që në të shumtën e rasteve, ekstradimet bëhen nga marrëveshjet. Kur paraqiten në kalime kufijsh ata paraqesin gjithnjë pasaportën shqiptare,” tha Çela./m.j