Nga Plator Nesturi
Samiti i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor që u zhvillua nën presidencën sllovene u duk si një fotokopje e samiteve të mëparshme ku zyrtarët e lartë të Brukselit përmëndin vullnetin se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në familjen evropiane. Madje dhe vlerësimi se vendet si Shqipëria e Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur detyrimet dhe kanë dëshmuar vullnet për të avancuar në process, porse frenimi nuk është i varur nga Brukseli por prej axhendës së vendeve të veçanta. Bullgaria nuk ka gjasa se ka ndryshuar në qëndrimin e vet ndaj procesit për Maqedoninë e Veriut, çka e penalizon dhe Shqipërinë si pjesë e vendimeve në grup që po ndërmerren. Gjithësesi, për të mbajtur të njëjtin entusiazëm të vendeve ballkanike si dhe dëshminë se BE nuk i ka abandonuar, u përcaktua se do të zgjidhet qesja për financimin e projekteve në dobi të rajonit e që do të kapë shifrën prej 300 miliardë Eurosh. Konfirmohet plotësisht pra se do të ketë një paketë që do të influencojë në zhvillimin e ekonomive të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
E parë në këtë prizëm, ku të paktën do të përfitojmë financime aq të vlefshme për rajonin, sidomos në infrastrukturë, dhe nga ku do të përfitojnë të gjithë, bëhet e kuptueshme se sa pa vlerë ishin shumë nga kritikat për inisiativën e “Ballkanit të Hapur”, çka do të shërbejë si pikënisje në përcaktimin e projekteve të përbashkëta të financuara nga BE. Aq e dukshme ishte kjo, sa pas samitit të zhvilluar në Slloveni mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, të ndyshojë në qëndrime dhe vetë Presidenti Meta që shquhej si një nga kritikët e mëdhenj ndaj Ballkanit të Hapur e në mbështetje të qëndrimeve të Kurtit. Dhe këtë Meta e thotë qartë ndërsa deklaron: “Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit. Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona”. Më qartë se kaq nuk mund të bëhet. Madje duket se e këshillon nga larg edhe vetë kryeministrin e Kososvës që të mos e “bishtënojë” vendin e tij nga këto zhvillime.
Nëse kujtojmë pra, vetëm disa muaj më parë u avancua projekti i krijimit të një hapësire të përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kërkuan që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin. Mesazhi kryesor i atij takimi për të cilin pati aq Kritika, ishte fakti se pavarësisht se BE ka dështuar në përmbushtjen e premtimeve të veta përsa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të përkushtuara në rrugën evropiane. Por tashmë këto vende nuk presin thjesht vendimet që do të merren për to. Me vullnetin për të krijuar një hapësirë të përbashkët, për të mos humbur kohë në zhvillimin e ekonomik të tyre ndaj u kërkuan BE dhe SHBA të mbështesin financiarisht projektet e tyre të zhvillimit. Gjërat tashmë janë konkrete, ndaj dhe mbështetja duhet të jetë konkrete. Në deklaratën e përbashkët të tre liderëve ballkanikë u shprehën konkretisht se “ne synojmë të zhvillojmë projekte të shpejta në zbatim dhe që sjellin investime, me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe rritjen e përdorimit në shkallë të gjerë të burimeve të ripërtëritshme.
Kjo do të ishte pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Vendet tona kanë potencial të madh për rritje të qëndrueshme dhe zhvillim në këtë sektor. Po ashtu, ne kërkojmë mbështetje konkrete për të identifikuar ato projekte të cilat, në shkallë të gjerë, mund ta kthejnë rajonin tonë në një burim të energjisë së rinovueshme”. E thënë ndryshe, këto vende kërkuan që angazhimi i tyre drejt projeksionit evropian, nëse ka marrë si përgjigje veçse një gjysmë dëshirë për ti pranuar në BE, atëhere duhen kompensuar ndryshe. Nëse këto vende do të përfitonin fonde në procesin e negociimit, BE-së i duhet të paguajë të paktën në projektet e përbashkëta rajonale siç kanë premtuar muaj të shkuar. Dhe tregu i këtyre vendeve është 18 milionë qytetarë, që gjithësesi mbeten evropianë dhe janë të rrethuar me kufij të vendeve të BE. Veçse harrohet diçka, sa më shumë bashkëpunues të jenë vendet e rajonit aq më i madh është trysnia e tyre ndaj BE për të përfituar fonde. Në të kundërt, mbajtja në pengun e reminishencave të së shkuarës, i dëmton të gjithë, e të parin atë që bëhet pengesë.
Këto ishin zhvillimet e atëhershme për të cilat po shihet qartë se nuk na ka humbur kohën veç vende të caktuara të BE në procesin e integrimit. Kohë dhe energji na kanë humbur dhe shumë qëndrime kritike e bllokuese si të faktorit politik të brendshëm, ashtu edhe frikërat prej projeksioneve të së shkuarës që bllokojnë arësyetimin e një pjese të politikës së Kosovës dhe që bëhen pengesë për projeksionet drejt së ardhmes. Zhvillimet politike, sidomos ato që ndodhin në rrafsh ndërkombëtar, nuk mund të ndikohen nga vende të vegjël si yni apo dhe i vendve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që gjithësesi mbeten të vogla krahasuar me shumë të tjerë. Në këto kushte duhet të përshtatesh, dhe këtë leksion duhet ta pranojë kushdo që merr në dotë fatin për ti drejtuar këto vende. Momenti kur po trokasim në derën e BE nuk është më i përshtatshmi. Është si të trokasës në një derë e të kërkosh mikpritje në kohën kur djemtë e familjes janë duke u grindur me njëri tjetrin dhe kur i zoti i shtëpisë ka halle të tjera. Shqipëria humbi kohë në vitin 2013 me shtyrjen e procesit gjë që po ndikon tashmë në shtyrjen e përfundimeve të pritshme. Deri në 2014 çështja e integrimit në BE ishte më e thjeshtë. Por ndryshimi i raporteve politike, ngritja e partive populiste dhe që janë euroskeptike, shoqëruar kjo dhe me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, natyrshëm që prishi atë klimë favorizuese të zgjerimit.
Kriza ekonomike, kriza sociale që e shoqëroi dhe që solli shtimin e peshës së partive populiste e euroskeptike, por edhe pandemia që ka goditur ekonomitë e vendeve të BE këtë vit, natyrisht nuk është një moment i mirë për të synuar procesin e anëtarësimit. Shumë prej qeverive të vendeve të BE gjenden nën një presion të fortë si ndaj çështjeve të emigracionit e natyrshëm edhe ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE. Po ashtu dhe midis vendeve të BE ka patur kontradikta të ndryshme. Mjafton të kujtojmë debatet e ashpra dhe pakënaqësitë e vendeve të caktuara ndërsa po shpërndaheshin fondet e ndihmave për ekonomitë e vendeve që ishin dëmtuar nga pandemia. Qeveritë evropiane më së shumti po mendojnë të tashmen dhe përballimin e saj. Në këtë aspekt dhe ne si vend duhet të kuptojmë situatën çfarë po ndodh në arenën evropiane por gjithësesi kjo nuk ka pse të na stepë të modernizojmë veten dhe demokracinë në vend për të qenë më të denjë për familjen evropiane. Për më tepër që të kërkojmë një mundësi më shumë për të zhvilluar vendet tona dhe rajonin. Një paketë zhvillimi që do të ndikojë në ekonomi dhe në hapësira të reja të zhvillimit rajonal natyrisht që nuk të bëjnë keq. Dhe kjo është përshtatje në emër të zhvillimit e të interesit të vendit tënd.