Elma Gjyshinca , të cilën autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës e kanë arrestuar për përfshirje në terrorizëm, e ndërkaq javën e kaluar e kanë përcjellë në Serbi, ku më pas është marrë nga babai i saj, Beqiri, aktualisht është duke u marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e jugut, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, babai i saj.
“Ajo nuk është e arrestuar. Po ktheheshim nga Novi Pazari dhe gjithçka ka kaluar mirë. Nuk është e akuzuar askund. Kur kemi arritur në vendkalimin kufitar, në orën 12:00, filluan të na e kontrollojnë automjetin”.
“Më pas, e kanë nxjerrë atë jashtë automjetit dhe na thanë se duhet ta presim dikë nga Prishtina. Pastaj, janë nisur pas nesh për në Mitrovicë dhe tash, për momentin, gjendet në polici, në Mitrovicën e jugut, duke u marrë në pyetje. Na thanë se i kanë disa pyetje për të”, ka thënë babai i Elmas, Beqir Gjyshinca.
Elma Gjyshinca, 21 vjeçe, boshnjake nga Mitrovica, është arrestuar më 25 nëntor në qytetin e Bosnjës, Kalesija, nën dyshimet për terrorizëm. Është thënë po ashtu se ajo ka paraqitur kërcënim të mundshëm.