Gjykata e Tiranës e përfundoi me një seancë të vetme gjyqin ndaj një infermiereje të spitalit Infektiv në QSUT, të akuzuar për vjedhjen e parave të një pacienti të vdekur nga COVID-19.
30-vjeçarja Ronida Hysa u shpall fajtore nga gjykata për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Ajo u dënua me 5 vite burg, dënim që u ul në 3 vjet e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në kërkimet përfundimtare, prokuroria kërkoi dënim me 6 vite për infermieren Hysa, ndërsa e akuzuara kërkoi ndryshim të kualifikimit të akuzës.
Ajo kërkoi të fajësohej për “përvetësim të parave që rrjedhin nga vepra penale” dhe se nëse dënohej me burg, dënimi t’i konvertohej në shërbim prove.
Ndonëse u dënua me burg, infermierja Hysa nuk do të shkojë në qeli, pasi prej datës 9 shkurt hetimi ndaj saj dhe më pas gjykimi është vijuar në masën e “arrestit në shtëpi”.
Ronida Hysa u prangos në 25 janar të këtij viti, pas denoncimit të djalit të një pacienti që ndërroi jetë në spitalin infektiv, i cili pretendoi vjedhje të portofolit dhe zbrazje të llogarisë bankare të të atit. Hetimi i rastit zbuloi se infermierja kishte përdorur kartën e pacientit, duke tërhequr gati 60 mijë lekë në disa bankomate të ndryshme.
Pak javë më parë Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për Tire Alldervishin dhe 4 infermiere të tjera të spitalit COVID2, të dyshuara për ngritjen e një skeme zhvatjeje të familjarëve të pacientëve të infektuar nga koronavirusi./m.j