Java e dytë e shkollës do të nisë me orë mësimore të plota, 45 minuta në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar. Ministria e Arsimit u tërhoq pas kërkesës së prindërve të cilët kërkuan mësim me orë të plota , pasi sipas tyre orët e reduktuara kanë ndikuar negativisht në formimin e nxënësve. Orët mësimore 25-30 minuta u palikuan edhe gjatë vitit të kaluar shkollor, dhe sipas prindërve dëmi që ju bë fëmijëve ishte shumë i madh.
Kthimi në normalitet i shkollave do të jetë vetëm sa i përket kohëzgjatjes së orëve mësimore dhe rikthimit të pushimeve pasi turnet do të vijojnë në shumë shkolla. Me skenarin e mëparshëm të Ministrisë së Arsimit, nxënësit i kishin orët mësimore 25 minuta dhe pa pushim mes orëve. Ndërkohë që tani nxënësit veç 5 minutave pushim mes orëve do të ketë edhe pushim të madhe.
Sipas deklaratës së Ministres së Arsimit, Evis Kushi, shkollat do t’i kthehen mësimit normal pa turne, kjo për një pjesë të shkollave të kryeqytetit nuk mund të zbatohet. Janë rreth 25 shkolla që do të vijojnë mësimin me turne, pasi edhe para pandemisë kanë funksionuar me dy turne, ndërkohë që me skenarin e mëparshëm ishin shkolla me 4 turne. Ndërsa shkollat me dy turne do jenë me një turne pasi klasa do bashkohet dhe nuk do jenë më të ndarë në dy grupe.
Masat anti-Covid mbeten në fuqi, por për mungesë të kapaciteteve nxënësit nuk do jenë më nga një në bankë, maska është e detyrueshme për nxënësit mbi 12 vjeç në çdo ambient si dhe rekomandohet për fëmijët e fillores. Ndërkohë që mësuesit e kanë detyrim mbajtjen e maskës pavarësisht statusit të vaksinimit. Sipas Ministrisë së Arsimit mbi 88% e mësuesve janë vaksinuar.
/a.r