Autorë të rinj, autorë me përvojë dhe panelistë në zë ju ftojnë të bëheni pjesë e Festivalit Ndërkombëtar Letrar të të Rinjve “Tirana-Gate 2021”. Në datat 8-10 tetor 2021 Tirana do të kthehet në një ngjarje të rëndësishme të librit europian në Tiranë, pikëtakimi me lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të kuptuar tendencat e fundit të librit.
Ky festival është një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të një projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Marrin pjesë autorë nga vendet ballkanike si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe autorë nga Turqia. Gjithashtu pjesë e festivalit do të jenë autorë nga Europa, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar European Union Prize in Literature, ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.
Ky festival trazon për mirë jetën e kryeqytetit në këtë tetor, me temën “Kufijtë, shtëpia, identiteti, qendra dhe periferia” , me panelet e diskutimit mes shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Në tridhjetë vite ky rajon po përballet me histori të ngjashme, shkëputjen nga regjimet totalitare dhe histori arratie e dëbimi. Autorët nëpërmjet letërsisë së tyre do të dëshmojnë për të gjitha këto ndryshime të rëndësishme, do të tregojnë për jetën në Europë, jashtë Bashkimit Evropian dhe në këtë e në atë anë të kufirit.
Organizatorët premtojnë se “Do të flasim për librin-pasaporta jonë europiane, fqinjësinë, do të flasim për Tjetrin, e ndryshëm, por dhe të ngjashëm përmes autorëve dhe fjalës së shkruar dhe të përkthyer bukur”.
Festivali e kthen Tiranën në një shtëpi të madhe mikpritëse idesh, vizioni dhe emocioni, jo vetëm për autorët, por edhe për të gjithë pasionantët e rinj që bëhen pjesë e këtij aktiviteti ndërkombëtar, që ka meritën, jo thjesht të një festivali, por të një atmosfere artistike me të gjitha moshat.
Besimi, kultura, gjuha kanë lënë tek çdo popull një pasuri shpirtërore që duhet rrëfyer.
Tirana e meriton Festivalin për të provuar se Shqipëria përmes letërsisë e ka tashmë zërin e vet evropian.
Autorët pjesëmarrës, fitues të EUPL: Laura Freudenthaler, Tom Kuka, Jan Carson, Nikos Chrysos, Lidija Dimkovska, Ben Blushi si dhe autorët e përvojës dhe çmimeve ndërkombëtare : Besnik Mustafaj, Rita Petro, Bashkim Shehu, Diana Çuli, Zija Çela, Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli, Robert Wilton, Virgjil Muçi, Manjola Nasi, Ndriçim Ademaj, Mehmet Berk Yaltik, AlbanTufa, Renis Hyka.
Përkthyesit pjesëmarrës: Ben Andoni, Milena Selimi, Maniela Sota, Maklena Nika, Irena Nasi.