Me rastin e 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Bundestsgut, Wolfgang Schäuble.
Në letrën e urimit, Nikolla thotë se rënia e Murit të Berlinit lajmëroi erën e ndryshimeve që po vinin.
Teksa thekson se Gjermania është model për demokracitë e reja, kryetarja e Kuvendit i shpreh mirënjohjen për mbështetjen që ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë.
“Ju shpreh urimet më të përzemërta të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të miat personalisht, me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare të Gjermanisë.
Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, këto ngjarje të shënuara për kombin gjerman dhe për të gjithë njerëzimin, lajmëruan erën e ndryshimeve demokratike dhe të lirisë për popujt e Evropës Lindore e Qendrore e më gjerë.
Gjermania është sot një vend i madh, i fuqishëm dhe i përparuar, mike e Shqipërisë, një anëtare prestigjioze e Bashkimit Europian dhe shoqëria gjermane një model për demokracitë e reja.
Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti.
Shpreh bindjen se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej.”, shkruan në letrën e urimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.