Sot, më 2 tetor, pritet të marrë fund bllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, shkruan Rel, përcjell abcneës.al.
Në pikën kufitare në Jarinjë, ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se ka nisur të lirohet njëra korsi e rrugës, që ishte bllokuar tash e sa ditë nga kamionët.
Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.
Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.
Këtë masë, Serbia e zbaton për makinat me regjistrim të Republikës së Kosovës prej shumë vitesh.
Por, delegacionet e këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.
Sipas marrëveshjes:
-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të kënaqur me atë që kanë arritur delegacionet e tyre.
g.kosovari