N/kryetari i grupit të PD-së, Ervin Salianji i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” e cilëson “Foltoren” një shfryrje pasi sipas tij partia ndodhet në një gjendje traumatike pas humbjes së 25 Prillit, por edhe shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai nuk e cilësoi ndarje të partisë, por diskutim për reflektim.
“Nuk do ta quaja ndarje, flitet, diskutohet dhe dalin ide. Po merrem me fjalën, “Foltore” që do të thotë që diskutohet, që mblidhen demokratë, që janë të shqetësuar, nuk është se PD është në një situatë, nuk është sekret që PD është në gjendje traumatike, qoftë për shkak të humbjes apo vendimmarrjes së DASH-it.
Gjithçka që mund të flitet dhe diskutohet brenda kontureve nuk i bëjnë dëm PD-së, deri në momentin që kalohet në sulme personale apo goditje nën brez që nuk besoj që i bëjnë mirë PD-së.
Çdo lloj mbledhje i bën mirë PD-së, tregon që ka temp dhe që të reflektojë. Diskutimi në këtë formë nuk është i shëndetshëm, por duke marrë parasysh sentimentet, traumën e shkaktuar, në këto momente mund të shërbejë dhe për mua shërben si një moment si shfryhet brenda partisë” deklaroi ai./m.j