Rreth 23 mijë persona janë infektuar me koronavirus vetëm gjatë muajit Shtator, 200 prej të cilëve e kanë humbur betejën me virusin pandemik duke e bërë kështu Shtatorin muajin e parë që prej Marsit që shënon jo vetëm rritje drastike të rasteve të reja, por edhe të fataliteteve.
Mes personave që ndërruan jetë në muajin e parë të vjeshtës ishte dhe një 34-vjeçare shtatzënë. Mjekët e spitalit Covid 1 ku këta pacientë po merrnin mjekim kanë pohuar se shumica e tyre ishin të pavaksinuar.
Shtatori është muaji i 5 që prej fillimit të pandemisë që regjistron numër të lartë fatalitetesh.
Marsi i 2021 mban vendin e parë për numrin më të lartë të vdekjeve, ku 439 pacientë humbën jetën, për t’u pasuar nga Shkurti me 416 viktima, Dhjetori i 2020 me 371 viktima dhe Nëntori 301 jetë të humbura.
Rritja e rasteve fatale dhe të të infektuarve në vend erdhën pas disa muajve qetësi. Në 4 muaj, Maj, Qershor, Korrik dhe Gusht u regjistruan 104 raste vdekjes, shifër kjo e cila u dyfishua menjëherë vetëm në një muaj, Shtatorin.
Sipas ekspertëve rritja e rasteve ka ardhur si pasojë e valës së infeksionit të shkaktuar nga variant Delta që nisi të qarkullojë në Korrik. Ndërsa rastet e infektimeve po njohin rënie ditët e fundit, e njëjta gjë nuk po ndodh me fatalitetet. Ekspertët apelojnë për vaksinim si forma e vetme për t’u mbrojtur nga shtrimi në spital dhe rastet e rënda.
/a.r