Qeveria vendosi miratimin e rregullave dhe të procedurave për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë që ndërrojnë jetë në krye të detyrës.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u vendos që të gjithë familjarët e të rënit në krye të detyrës do të përfitojnë para në formën e një ndihme të menjëherëshme financiare që s’duhet të jetë më shumë se 10 (dhjetë) paga në total.
Përveç kësaj, pjesëtarët e familjes përfitojnë pension suplementar familjar, në masën 100% të pagës mujore, fëmijët trajtohen me bursë, ndërsa Garda trajton me prioritet aplikimin ose kërkesën për punësim. Por po ashtu Enti Kombëtar i Banesave trajton me banesë falas bashkëshorten apo bashkëshortin e punonjësit që ka rënë në krye të detyrës.
VENDIMI I PLOTË
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe i procedurave të detajuara për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës.
2. Trajtimi financiar që fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë përfitojnë në bazë të rregullave dhe të procedurave të përcaktuara në këtë vendim të zbatohet pa krijuar mbivendosje me ndonjë përfitim të mundshëm financiar sipas ligjeve të tjera. Në këtë rast, ata kanë të drejtë të zgjedhin trajtimin financiar më të favorshëm sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në atë ligj.
II. NDIHMA E MENJËHERSHME FINANCIARE
1. Pjesëtarët e familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë në çastin e humbjes së jetës, në krye apo për shkak të detyrës, përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare për çdo person, në masën e një page, referuar pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit.
2. Përfitimi i ndihmës së menjëhershme nuk duhet të jetë më shumë se 10 (dhjetë) paga në total.
3. Pjesëtarë të familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë në çastin e humbjes së jetës janë:
a) fëmijët;
b) bashkëshorti/bashkëshortja;
c) prindërit;
ç) personat në kujdestari.
4. Për t’u trajtuar me ndihmë të menjëhershme financiare, pjesëtarët e familjes duhet të paraqesin pranë Gardës së Republikës së Shqipërisë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Procesverbalin e referimit nga strukturat përkatëse të rrethanave të ngjarjes, në të cilën ka humbur jetën punonjësi;
b) Certifikatën familjare;
c) Certifikatën e vdekjes së punonjësit;
ç) Dokumentin e identitetit të personit që kërkon përfitimin.
5. Masa e këtij shpërblimi miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për rendin e sigurinë publike.
6. Dhënia e ndihmës së menjëhershme financiare përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për programin “Garda e Republikës”.
III. PENSIONI SUPLEMENTAR FAMILJAR
1. Pjesëtarët e familjes, që bashkëjetonin me punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë, në çastin e humbjes së jetës në krye apo për shkak të detyrës, përfitojnë pension suplementar familjar, në masën 100 (njëqind) % të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit.
2. Përfitimet jepen në vlerën 100 (njëqind) % të pagës, sa herë që paga sipas së cilës është llogaritur ky përfitim ndryshon.
3. Pagesa e pensionit suplementar përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin e sigurinë publike për programin “Garda e Republikës”.
IV. TRAJTIMI ME BURSË PËR SHKOLLIM
1. Studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, të cilët janë regjistruar në programe studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen sipas kuadrit ligjor në fuqi.
2. Fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, paraqesin te Garda e Republikës së Shqipërisë dokumentacionin që provon statusin e tyre si studentë.
3. Garda e Republikës, për çdo vit akademik, i paraqet ministrisë përgjegjëse për arsimin listën e studentëve që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta, për trajtimin e tyre me bursë.
V. TRAJTIMI ME BANESË FALAS
1. Enti Kombëtar i Banesave trajton me banesë falas bashkëshorten/in dhe fëmijët e punonjësit të Gardës së Republikës, që ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, kur janë të pastrehë, sipas listës së miratuar nga ministri përgjegjës për rendin e sigurinë publike, e cila shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Certifikatë familjare;
b) Vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për pjesëtarët e familjes përfituese, nëse figurojnë apo jo me banesë në pronësi apo në proces.
VI. TRAJTIMI FINANCIAR PËR ÇDO PËRVJETOR VDEKJEJE
1. Familjarëve të punonjësit të Gardës së Republikës, që ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, u jepet ndihmë financiare në masën e 1 (një) page mujore për çdo përvjetor vdekjeje.
2. Për t’u trajtuar me ndihmë financiare, për çdo përvjetor vdekjeje, pjesëtarët e familjes duhet të paraqesin pranë Gradës së Republikës, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesë për përfitimin e ndihmës financiare;
b) Certifikatë familjare;
c) Dokument të identitetit të personit që kërkon përfitimin.
3. Masa e kësaj page është e barabartë me pagën bazë mujore të gradës “Inspektor”.
4. Dhënia e ndihmës financiare miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për rendin e sigurisë publike për programin “Garda e Republikës”.
VII. ORGANIZIMI I CEREMONISË MORTORE
1. Ceremonia mortore për punonjësit e Gardës së Republikës, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, organizohet nga drejtuesi i strukturës së Gardës së Republikës së Shqipërisë.
2. Pagesa e shpenzimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë, sipas dokumentacionit të mëposhtëm:
a) Kërkesë për miratim të shpenzimeve të drejtuesit të strukturës së Gardës së Republikës së Shqipërisë;
b) Fatura tatimore të shpenzimeve për organizimin e ceremonisë mortore.
3. Shpenzimet e ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Gardës së Republikës së Shqipërisë.
VIII. PUNËSIMI
1. Garda e Republikës së Shqipërisë, brenda limitit organik, trajton me prioritet aplikimin ose kërkesën për punësim të fëmijëve të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, që kanë humbur jetën në krye ose për shkak të detyrës, në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kriteret e tjera të nevojshme për vendin e punës.
IX. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./m.j