Prej tri javësh Lindita Nikolla ka marrë drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një intervistë për A2 CNN, kryeparlamentarja tregon se si e priti zgjedhjen në krye të institucionit dhe vendimin e opozitës për mos e votuar.
“Është një përgjegjësi e lartë që më është besuar që unë do t’i përgjigjem me shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet. Unë dua ta tjekaloj atë moment edhe pse moment ishte një moment i trishtë. Por gjithsesi kjo është një situatë që unë e kam tejkaluar”, thotë Nikolla.
Pavarësisht se Partia Demokratike grisi fletët e votimit me emrin e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehet e gatshme për të mbështetur kërkesat e opozitës në ngritjen e komisioneve hetimore. Për të favorizuar dialogun politik, nuk heziton të luajë një rol aktiv. “Unë do të bëja gjithçka që të mundësoja dialogut dhe komunikimit. Në funksion të komunikimit, për këdo do të isha disponibël”.
Pasaporta e vaksinimit për deputetët është një hap larg bërjes realitet. Por a do të ketë ky vendim një efekt zinxhir për këdo nga institucionet e tjera që hyn në Kuvend? “Patjetër, ajo do të jetë një punë zinxhir. Janë një numër shumë i vogël deputetësh të pavaksinuar. Do të kemi një raportim nga kryetarët e grupeve parlamentare se si është situata”.
Pasardhëse e dy personaliteteve të forta si Ilir Meta e Gramoz Ruçi, ndonëse ka pak javë në detyrë, Lindita Nikolla i ka idetë e qartë se si dëshiron të kujtohet pas 4 vjetësh. “Besoj që do të dëshiroja të mbahesha mend si një kryeparlamentari që i dha mundësi parlamentit të Shqipërisë të ishte më i hapur dhe të ofronte më shumë qytetari, më shumë etikë”./m.j