Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka publikuar sot pamje nga patrullimi me helikopter në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në mbi pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak, shkruan Gazeta Express.
Përmes një video të publikuar në rrjetin social në “Facebook”, nga KFOR-i kanë thënë se mbajnë qëndrim të paanshëm lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, teksa shtojnë se komandanti i KFOR, gjenerali Federici po mban kontakte me të gjitha palët.
“Në përgjigje të zhvillimeve të fundit në Kosovën veriore, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve dhe ka vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Brnjak. KFOR -i mban një qëndrim të paanshëm, të fuqishëm, të shkathët dhe fleksibël për t’u marrë me të gjitha rastet e mundshme. Gjenerali Federici gjithashtu mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuar në një de-përshkallëzim të shpejtë”, thuhet në njoftim.
“KFOR -i mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet më tutje në njoftim./m.j