Në kuadër të Ditës Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, drejtuesit e shërbimit të kardiokirurgjisë, ekspertët e shëndetit publik dhe strukturave të kujdesit parësor si dhe përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, u kanë bërë apel qytetarëve për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare përmes jetesës së shëndetshme dhe kontrolleve periodike tek mjeku.
Duke folur për një nga programet parandaluese, që është Kontrolli Mjekësor Bazë, Ministrja Manastirliu tha se janë shtuar këto kontrolle.
“Jam e kënaqur të them që përgjatë këtij muaji më shumë se 36 mijë qytetarë u janë drejtuar qendrave shëndetësore dhe kanë kryer kontrollin mjekësor bazë. Kjo është një e dhënë absolutisht shumë e mirë, e cila në kushtet e rikthimit pas 17 muajve të këtij programi, tregon që jo vetëm qytetarët janë të ndërgjegjësuar për të kryer kontrollin mjekësor bazë në mënyrë të përvitshme, një kontroll falas i ofruar dhe mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, por edhe për efektin që ka ky program në uljen e barrës së sëmundshmërisë së sëmundjeve kardiovaskulare. Janë më shumë se 6 mijë ndërhyrje invasive dhe kardiokirurgjikale që kryhen në sistemin tonë publik, por edhe në sistemin jopublik të financuar me paratë publike dhe kjo është e rëndësishme. Sepse ne sot, dhe këtë e them me krenari, mbulojmë më shumë se 85% të nevojave në sistemin tonë publik. Kjo do të thotë, para të kursyera nga paratë e qytetarëve dhe këtë mundesi për trajtim e kanë në sistemin tonë publik, me një efiçentë por mbi të gjitha me një profesionalizëm”, tha Manastirliu.
Manastirliu deklaroi se shumë shpejt do vihet plotësisht në funksion qendra e dytë e kardiokirurgjisë në vend në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Me kthimin në normalitet të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, edhe aty laboratori i hemodinamikës funksionon shumë mirë, për të gjitha ato nivele të diagnostikës që ai kryen për sëmundjet kardiovaksulare. E reja është që tashmë ne përgatitemi për ta vënë në efiçencë dhe qendrën e dytë të kardiokirurgjisë në vend, që është pikërisht në këtë spital”, u shpreh Manastirliu.