Nga data 4 tetor, INSTAT do të nisë projektin pilot të regjistrimit të popullsisë dhe banesave.
Puna në terren do të zgjasë deri në 15 nëntor dhe projekti do të zbatohet në nëntë bashki.
Grupet e punës do të trokasin derë më derë për të pyetur qytetarët dhe plotësuar një formular në mënyrë elektronike, përmes tabletëve.
“INSTAT në periudhën 4 tetor deri më 15 nëntor 2021 do të zhvillojë fazën Pilot për Censin e Popullsisë dhe Banesave. Piloti i Censit është një test gjithëpërfshirës.
Ai do të testojë përshtatshmërinë e të gjithë procedurave të Censit. Zonat ku do te zhvillohet Piloti janë me diversitet të lartë: Zona urbane dhe rurale; me kushte të ndryshme socio-ekonomike, me përbërje popullsie minoritare dhe në zona kodrinore dhe malore.
Konkretisht janë përzgjedhur 50 Zona Censi ne 9 bashki të vendit: Fushë Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull”, deklaroi Elsa Dhuli, drejtoreshë e INSTAT.
Për regjistrimin e banesave në formular do të ketë pyetje për llojin e banesës, sipërfaqen dhe pronësinë e saj, furnizimin me ujë apo llojin kryesor të energjisë për ngrohje.
Ndërsa për regjistrimin e popullsisë, qytetarët do të pyeten për të dhënat personale, nëse kanë ndryshuar vendbanim, nëse kanë udhëtuar apo jetuar ndonjëherë jashtë shtetit, statusin e punësimit, identitetin etnik apo edhe për aftësitë e kufizuara.
/m.j