Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Fokusi i diskutimit ishte raporti përfundimtar i monitorimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, konkluzionet dhe rekomandimet.
Gjiknuri falenderoi përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor. Ai konstatoi se zgjedhjet e 25 Prillit ishin një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për një proces në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për procesin e dialogut politik rikthimin e opozitës në institucione, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gadishmërinë e mazhorancës për tu ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Sipas Gjiknurit, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, ai tha se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.
/b.h