Nga Alfred Peza
“Çdo e keqe e ka një të mirë” ndaj “jo çdo gjë e keqe, vjen veç për keq!” I tillë mund të konsiderohet edhe turi i Sali Berishës nëpër Shqipëri, në përpjekjen e tij donkishoteske për ti shpëtuar mallkimit të listës së zezë të SHBA, përmes ëndrrës për tu rikthyer. Duke goditur Lulzim Bashën, pasi ai e përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD, Sali Berisha la gjithçka tjetër për tu fokusuar tek lufta brenda llojit.
Vetëm hyrja në këtë luftë është diçka e re. Ndërsa ato që po thotë kundër djalit të tij plangprishës, nuk janë as të reja, as të padëgjuara. Apo sekrete. E aq më pak befasuese, nga ato që shkrepin papritmas, si rrufe në qiell të pastër. Ato shoqëria ka 16 vjet që i di dhe 8 vjet që i dëgjon. Por të thëna nga goja e Sali Berishës për Lulzim Bashë, ato tingëllojnë krejt ndryshe, duke na bërë pa dashje një shërbim të vyer.
Akuzat, kritikat, sharjet, të vërtetat, gjysëm të vërtetat, mitet e rreme, gënjeshtrat dhe shpifjet e “liderit historik” për Lulzim Bashën, po marin një vlerë tjetër. Ato po dëshmojnë se PD dhe opozita, janë sot edhe më zi, sesa i dinim. E përderisa ky realitet noterizohet me vulë të thatë nga Sali Berisha, askush nuk mund ta vë më në dyshim, se përse opozita u dënua me votë më 25 prill.
Turi i Sali Berishës nëpër qytetet e vendit, po çertifikon krizën e thellë të lidershipit, ku është zhytur herët e djathta. Një krizë që mban emrin e Sali Berishës, e cila ka nisur atëherë kur ai e humbi lirinë si lider, për të dalë në kohën e duhur jashtë sistemit politik të vendit. Pasi u vërtetua se nuk do i zbatonte kurrë rregullat e lojës, nga frika e ndëshkimit prej bëmave të pushtetit, mori dënimin e merituar politik.
Ai që u mbështet pa kushte nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për të udhëhequr kalimin nga sistemi monist në atë pluralist, kishte frikë të ikte. Edhe pse ia falën gjëmat e herës së parë (1992-1997) dhe ia dhanë mundësinë si rrallëkujt të nusëronte për herë të dytë (2005-2013), nuk u tërhoq. Kishte shkuar aq larg, sa besonte se e treta e vërteta, mund ta shpëtonte. E kur ajo nuk erdhi, tha se nuk kishte ndërmend që të ikte, e se do të vdiste në politikë.
Ky është halli personal i Sali Berishës dhe jo i shqiptarëve, ndaj nuk besoj se atë do ia qajë kush. Harron se budallenj janë vetëm ata liderë politikë, që mendojnë se njerëzit që i votojnë, janë budallenj. Kur Sali Berisha bëri sikur iku, ata e kuptuan. Kur Sali Berisha bëri sikur doli në pension politik, ata e kuptuan. Kur Sali Berisha e emëroi vetë pasardhësin që deshi në krye të PD, ata e kuptuan. Kur Sali Berisha donte që të nusëronte “de facto” vetë, edhe për herë të tretë, ata e kuptuan. Ndaj e ndëshkuan!
Sali Berisha nuk donte të ikte, as para dhe as pas 25 prillit. As para dhe as pasi SHBA e shpalli “non grata”. Por atë që nuk e bëri dot as vetë, as vota, as SHBA dhe as Perëndia, ia bëri fëmija. I përzgjedhuri. Dytësi. Pasardhësi. Biri i tij politik. Lulzim Basha. Pikërisht atëherë kur ishte betuar edhe me shkrim, se ndryshe nga Edi Rama me Fatos Nanon, ai kurrë nuk do ta vriste sa të ishte gjallë babain e tij politik!
Ligjësitë nuk i ndryshon dot askush, ndaj nëse nuk do e bënte Lulzim Basha, do e bentë ai që do ia zinte vendin në Krye të PD. Ai vetë e kuptoi shumë vonë rolin e tij në këtë histori, duke e vonuar me 8 vjet edhe këtë akt, edhe proceset nëpër të cilat duhej të kalonte opozita për tu rikthyer në pushtet. Tani e rëndësishme është, që rrota u vu në lëvizje. Askush nuk ka aq fuqi, sa ta ndalojë atë.
Hapi i parë ishte përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar. Hapi i dytë, telendisja e tij gjatë turit nëpër Shqipëri. Hapi i tretë, mund të jetë marrja e situatës në dorë nga Lulzim Basha, për tu bërë më në fund Kryetari “de facto” i PD dhe lideri “de facto” i së djathtës shqiptare. Hapi i katërt, lënia e Sali Berishës në dorën e fatit të parashkuar nga shqiptarët dhe SHBA. Për të shkuar në fund tek riorganizimi nga e para i opozitës, për tu rikthyer fillimisht në pushtetin lokal e më pas, edhe në atë qëndror.
Kapaku i pusetës së ujrave të zeza të lidershipit të atrofizuar të PD sapo është hapur dhe duhma e saj kutërbuese, po përhapet me shpejtësi nga propaganda në rrugë mediatike e përmes rrjeteve sociale. Jemi në kulmin e lojës së njohur të turbullimit të gjithçkaje, derisa të ndodhë precipitimi dhe në fund, kthjellimi përfundimtar i ujrave opozitare.
Duke qenë në domeinin e vet, Sali Berisha ka marë në dorë një shkop aq të gjatë për ta trazuar kënetën që prodhoi vetë për 30 vjet, sa era e saj tani po qelb dynjanë. Shqiptarët kanë duruar aq shumë përgjatë historisë, sa u duket si aroma e një parfumi demokracie, që po dizinfekton ambjentin politik opozitar. Ajo po i bën mirë edhe PD, edhe demokratëve, edhe opozitës, edhe shqiptarëve. Sepse bashkë me Sali Berishën, do të pastrohet përfundimisht, edhe llumi që ajo ka prodhuar.