Të ftuar në Tonight Ilva Tare, intelektualët e diasporës, Shenasi Rama, Valbona Karanxha dhe Grid Rroji, prezantuan idenë e tyre për parinë e Tiranës, të shkruar edhe te libri “Paria e Rrethit të Ferrit”. Paria e Tiranës sipas intelektualëve është klasa politike dhe intelektuale e vendit që po sundon popullin në mënyrë të padrejtë dhe që ka kapur shtetin dhe burimet ekonomike të tij.
Të pyetur edhe nëse alternativa që ata prezantuan në Shqipëpri gjatë këtij muaji do të konkretizohej në parti, ata e lanë të hapur këtë mundësi duke i dhënë më shumë rëndësi ideologjisë së tyre për mënyrën e krijimit të shtetit.
Shenasi Rama: Nëse dikush formon parti me idetë tona, do ta mbështesim.
Shenasi Rama: Do të formojmë parti? Nuk mund ta parashikojmë të ardhmen
Grid Rroji: Paria e Tiranës, një grup njerëzish që kanë kapur shtetin dhe kanë ndërtuar një sistem të korruptuar
Grid Rroji: Objektivi ynë, ndërgjegjësimi i njerëzve, pastaj kalohet në veprim politik
INTERVISTA :
Do krijoni parti të re?
Rama:
Ne jemi këtu si një forum intelektual që kërkojmë të ofrojmë një diagnozë të gjendjes politike në të cilën ndodhet shteti dhe kombi shqiptar. Ne ofrojmë gjithashtu një alternativë politike e cila gjendet në të gjithë librat tanë. Është një program i mirëfilltë politik. Ama ajo që ne bëjmë dhe kërkojmë mirëkuptim nga ju dhe të tjerët, shprehet më së miri me një krahasim dhe krahasimi është i tillë. Njeriu që konstrukton avionin, nuk fluturon me atë avion. Duhet të jetë piloti ta bëjë atë punë. Ju po kërkoni që ne që kemi konstruktuar ose po ofrojmë një ideologji të tillë, të jemi në të njëjtën kohë edhe njerëzit që do ta zbatojnë, edhe njerëzit që do të ndjekin rrugën e tillë. Është njësoj si t’i kërkosh doktorit i cili ka shpikur ilaçin, të diagnostikojë dhe të shërojë çdo pacient që është rrotull. Detyra jonë si intelektual, si njerëz me integritet moral, të cilët e ndiejnë thellë nevojën e shërbimit publik, është që të dalim e t’i themi të drejtën popullit shqiptar. Nëse nesër do të ketë njerëz që i përqafojnë këto ide, ne do t’i mbështesim me gjithë zemër. Nëse do të ketë njerëz që punojnë për këto ide, ne do të bëhemi mbështetësit e tyre më të mirë por askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen, edhe ne nuk duam ta parashikojmë atë të ardhme.
Rroji:
Objektivi i përpjekjes sonë intelektuale ka qenë hapja e realitetit dhe vendosja e tij në qendër të vëmendjes së shqiptarëve. Të prezantosh një alternativ ideologjike në kontekstin aktual shqiptar ku të gjithë ramë dakord se është shumë e vështirë, që ka një frikë të madhe, ku paria kontrollon thuajse të gjitha kanalet e informacionit publik, është e vështirë. Çdo transformim, çdo ndryshim vjen me faza të caktuara, faza e parë është ndërgjegjësimi individual, i secilit prej njerëzve që e dëgjojnë këtë opinion, e dëgjojnë këtë opinion nëpërmjet familjarëve, nëpërmjet miqve, nëpërmjet mediave të cilat e pasqyrojnë këtë. Ky ndërgjegjësim sjell pastaj fillimin e organizimit, nga ky organizim pastaj kalohet në veprim politik. Kjo është e ditur, nuk po them ndonjë gjë që është e paditur. Së në cilën hulli shkon kjo ka pak rëndësi. Se cilët janë njerëzit që dalin të marrin këtë flamur, ka pak rëndësi. Unë besoj se alternativa e vetme për shqiptarët është alternativa që ne propozojmë, alternativa që ne paraqesim përpara shqiptarëve sot.
Karanxha:
Detyra jonë është ndërgjegjësimi i masave për të kuptuar se ku jemi, gjëndjen dhe situatën ku jemi. Njerëzit mund ta interpretojnënë mënyra të ndryshme. Deri tani nuk ka asnjë grupim partiak dhe nuk ka asnjë parti të cilës ne i përkasim. Lëvizjet shoqërore të paplanifikuara mund të shkojnë në çdo drejtim, kështu që përjashtohet por edhe nuk përjashtohet. Ne deri tani nuk e dimë sepse detyra jonë është që populli të marrë mesazhin.
Çfarë është paria e Tiranës?
Grid Rroji:
Koncepti i parisë përfshin një grup njerëzish, një grup drejtuesish të cilët vijnë nga sistemi i kaluar. Bashkë me ta është një grup intelektualësh që iu bashkëngjitën atyre dhe pjesë nga profesorati universitar i asaj kohe të cilët kanë drejtuar shtetin shqiptar, kanë kapur dhe drejtuar shtetin shqiptar në bashkëpunim të ngushtë me grupe të ngjashme me bazë rajonale të zhvilluara me kohë dhe kanë ndërtuar një sistem oligarkik, kleptokratik, të korruptuar i cili bazohet në mendësitë dhe strukturat kriminale.
Në vitin 1991 kishte 2 rrugë për të ndjekur. Njëra ishte ajo e parisë së Tiranës, për të marrë një model që nuk ezkiston kurrkund në botë, një kapitalizëm të tipit Engelsian që shkatërroi çdo gjë që gjeti për të ndërtuar një botë në të cilën kishte vetëm dy palë. Nga njëra anë paria, në tjetrën shqiptarët të cilët do t’i shërbenin kësaj parie. SI e kanë bërë? E kanë bërë me kapjen dhe devijimin e strukturave më elementare demokratike të cilat janë zgjedhjet. Zgjedhjet e vetme demokratike në kontekstin e tranzicionin, kanë qenë 2. E para që bënë studentët e lëvizjes studentore shqiptare dhe e dyta në vitin 1992. Pas këtyre, të gjitha zgjedhjet e tjera kanë qenë problematike, ose më të mira ose më të këqija se të mëparshmet që është një formulim që nuk thotë asgjë. E dyta është me kapjen e burimeve ekonomike nëpërmjet krimit të një oligarkie të strukturuar qartë dhe e cila ruan interesat e të gjithë klasës së tyre. E treta është devijimi i një sistemi shoqëror normal. Pra në vend që të krijohej një sistem shoqëror i bazuar në komunitet solid siç e kanë vende të tjera të zhvilluara, i cili është kombi, shteti shqiptar u bë një instrument në duart e disave dhe si i tillë, detyrimisht, dobësohet, bëhet një instrument të cilin populli nuk e pranon dhe bëhet një instrument që nuk i shërben askujt tjetër përveçse parisë.
Shenasi Rama:
Paria ishte një grupim, 2 deri në 5 mijë vetë, të cilët ishin të vetmit njerëz në këtë vend që kishin dijet se si ndërtohet një shoqëri moderne dhe në vend të zbatimit të atyre ideve, çdo gjë u bë shtrembër, u bë keq. Një rol kriminal në këtë proces, ka luajtur edhe shtresa e intelektualëve dhe e medias, të cilët u bënë bashkëfajtorë në këtë krim të përbindshëm ndaj shqiptarëve. Ky ka qenë një grupim që e ka ditur që në fillim, që në vitin 1989, në momentin që u vra Çaushesku që nuk kishin rrugë tjetër veçse të shtrëngonin radhët dhe të kontrollonin çdo proces politik. Në këtë mënyrë, duke përdorur të gjitha levat e shtetit që në atë moment ishin në shërbim të tyre, kupola e parisë që filloi të vepronte në heshtje dhe në mënyrë informale, jashtë të ashtuquajturave byro politike etj, ia arriti të sendërtonte, të ndërtonte, të fuqizonte strukturat joformale, të cilat e lejuan këtë shtresë dhe këtë grup që të ruante kontrollin mbi proceset politike duke përdorur mashtrimin, manipulimin, dhunimin, dosjet, korruptimin, etj. Këto janë njerëz që kanë gjetur rrugën më të lehtë për të sunduar njerëzit.