Grupi Parlamentar i PD që u mblodh sot në orën 11:00 në selinë blu ka vendosur të mos e njohë vendimin e Konferencës se Kryetareve për mbledhje Online të komisioneve.
Deputetët e Partisë Demokratike do të paraqiten fizikisht për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Demokratët thonë se vendimi bie ndesh me rregulloren e Kuvendit dhe ka për qëllim shmangien e përballjes me opozitën dhe mungesën e transparencës ndaj qytetarëve.
Jane zbardhur dhe porositë që kreu i PD-së Lulzim Basha u ka dhënë deputetëve. Kryedemokrati u ka kërkuar deputetëve që të bëhen zëri i qytetarëve, të denoncojnë masakrën e 25 prillit, të denoncojnë afërat kurrptive të qeverisë dhe të nisin konsultimet në zonat përkatëse për reformën territoriale.
“Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve. Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqësorit dhe jo vetëm. S’mund të pretendohet për drejtësi të pavarur për sa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë”, u tha Basha deputetëve.
“Duhet të bëjmë gati mekanizmat që të adresojmë problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votës, si dhe reformë zgjedhore dhe instrumenta zbatimi që mundësojnë rregulla të barabarta zgjedhore për të gjitha subjektet duke u bazuar në praktikat e mira europiane”, shtoi ai.
Sa i takon Reformës Territoriale Basha u ka kërkuar ligjvënësve: “Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën teritoriale. Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor”.
/m.j