Mediat kanë publikuar detaje të reja në lidhje me ngjarjen që tronditi Greqinë, ku 20-vjeçarja Caroline Crouch u vra nga bashkëshorti i saj, Babis Anagnostopoulos. Protothema ka nxjerrë fotot e dhomave nga shtëpia famëkeqe në Glyka Nera.
Siç duket nga pamjet, pasi ka vrarë gruan, Babis ka kthyer çdo gjë mbrapsht në banesë për të mbështetur idenë e tij se kishin rënë pre e grabitësve. Rafte të hequra nga komodinat, abazhurë në tokë, enë të hedhura e rroba gjithandej. Kjo ishte skena që piloti 32-vjeçar kishte menduar se do ta shpëtonte. Aty dallohet edhe ngjitësja që ai ka përdorur për të lidhur veten. Në fund të dhomës së gjumit ndodhet edhe krevati i vajzës së vogël të çiftit.
Protothema ka publikuar pamjet e shkallëve që të çonin në një dhomë të nëndheshme të cilën autori 32-vjeçar e përdorte për palestër dhe për të luajtur. Ai kishte fshehur aty bizhuteritë e Caroline-s për të përforcuar skenarin e tij të grabitjes.
Caroline Crouch, me origjinë britanike, u vra më 11 Maj në banesën ku ajo jetonte me bashkëshortin e saj, Babis Anagnostopoulos. 32-vjeçari grek, me profesion pilot, deklaroi fillimisht se gruaja e tij ishte vrarë gjatë një grabitje. Më vonë deklaroi se autorë të mundshëm të kësaj ngjarjeje ishin shqiptarë.
Por ky skenar i pilotit grek do të zgjaste vetëm pak kohë pasi autoritetet e kuptuan që ai ishte vrasësi i gruas së tij. Babis ka rrëfyer gjithçka dhe tashmë është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Koridalos. Babis dhe Caroline ishin prindër të një vajze 1 vjeçe.