Kreu i LZHK-së si dhe deputeti i opozitës, z.Dashamir Shehi i ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus vendosi të pranojë gabimet e opozitës, një pjesë e të cilave sipas tij janë të vazhdueshme. Ajo çka e shqetëson Shehin, është se përmes disa vendimeve, opozita shpeshherë i ka lënë hapësira dhe terren të parikuperueshëm palës tjetër.
“Ne shpeshherë kemi humb sovranitet nga paaftësia jonë. Dhe kena mbërrit një ditë që Amerika në një farë mënyre është bërë invadente dhe për tema që duhet ti kishim marrë ne përsipër. Ku kemi krijuar një lloj atriti, kjo opozitë që është sot, këto personazhe , filloi me Reformën në Drejtësi, ku kemi pas zig-zaget tona, për të mbrojtur disa territore. Hymë me një lloj konflikti, i vumë vetes një lloj njolle të panevojshme. Dobësia e dytë u krijua me disa nga institucionet të cilat u vendosën për drejtësinë. Ligjet i bëri vetë z.Rama dhe i bëri sipas qejfit. Dhe çfarë ndodh kur ti largohesh nga një karrige, nuk është se ulet një më i mirë se ty, ulet një më i keq. Siç ndodhi me karriget e Parlamentit, të bashkive apo të reformave. Te të dy reformat, administrative dhe e drejtësisë, u tërhoqëm dhe ia lamë Ramës ta bëjë sipas qejfit vet. Ky është një nga ato gabimet që bien ë konflikt. Mua më shqetëson se kjo është vazhdimësi mbi të cilën ne i kemi lënë terrene të parikuperueshme palës tjetër.”
Për Shehin, lëvizja e fundit brenda PD-së, që mbështet liderin historik, z.Sali Berisha mund të jetë dhe diçka pozitive me rrezikun e vetëm, dëshirën e këtij të fundit për të qenë motor për të tretën herë.
“Unë shoh anën pozitive. Kjo mund të shërbejë si një motorinë për të hap diçka të re. Ku e ka rrezikun kjo? Rrezikun kjo e ka, në qoftë se Berisha mendon se është dhe motori i kësaj pune, kjo pastaj është e gabuar. Sepse, motor tri herë nuk bëhesh, je kundër-sens, kundër kohës dhe fillon e bën dëm.”
g.kosovari