Ka zgjatur vetëm çerek ore ndërhyrja e Policisë së Shtetit në shtëpinë e Adriatik Llallës, ku sikurse pritje nuk do të arrinin ta arrestonin. Kjo, pasi Llalla ndodhet jashtë vendit duke iu shmangur burgut që e pret për dy vite, pasi Apeli vulosi dënimin.
Sot, SPAK kërkoi arrestimin e ish-kryeprokurorit dhe ngarkoi Policinë ta zbatonte urdhrin.
Por Adriatik Llalla ndodhet të paktën në Itali, ku u fotografua sot nga emigrantët shqiptarë të Romës.
Llalla përmes avokatit të tij gënjeu sot drejtësinë dhe opinionin publik duke u shprehur se ndodhet nën kujdes spitalor.
Por tashmë pritet që Shqipëria ta shpallë në kërkim ndërkombëtar ish-Kryeprokurorin që akuzohet për disa vepra penale nga Drejtësia.
/javanews/a.r
NJOFTIMI I SPAK:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur: Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen: Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës. Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsejt 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.
Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.
SPAK kërkoi arrestimin, Policia hyn në shtëpinë e Llallës, operacioni transmetohet LIVE