Avokati Saimir Visha i bëri thirrje ish-kryeprokurorit që të dalë e të tregojë kush janë peshqit e mëdhenj për të cilët, kur ishte në detyrë thënë se kishte dosje që do të përmbysnin situatën në vend.
“Le të flasë sot për peshqit e mëdhenj. Le të flasë sot çfarë ka ndodhur në jetën e tij profesionale si kryeprokuror.
Peshqit e mëdhenj na i mësoi Llalla, le dalë të tregojë kush janë peshqit e mëdhenj që ka pasur në dosje. Nëse është i ndërgjegjshëm të shkojë të dorëzohet”, tha avokati.
Avokati tha se Llalla, si një ish-zyrtar i drejtësisë duhet të zbatojë vendimin e sotëm të gjykatës që ishte i formës së prerë dhe nëse fshihet është i vetëdijshëm se është fajtor.
Visha tha për Euronews Albania se vendimi i sotëm i Gjykatës së Posaçme të Apelit është një moment historik, pasi vetë gjyqtarët e prokurorët treguan se reforma në drejtësi po funksionon teksa dënuan një ish-kryeprokuror.
Sipas tij, dënimi i një zyrtari të lartë do të kthejë besimin e qytetarëve tek drejtësia, por ndëshkimi duhet të jetë i njëjtë edhe për zyrtarë të lartë që janë në detyrë përfshi edhe ministra.
“Sot duhet duartrokitur një vendim, por problemi është se pandëshkueshmëria duhet të sundojë në çdo sferë. Duhet të presim që kambanat të bien edhe për ministrat e ish-ministra për të pasur respekt për reformën në drejtësi”, tha ai.
/m.j