Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që e detyron Adriatik Llallën të kryejë dy vite burg, SPAK ka nxjerrë pasditen e sotme urdhër-arrestin për ish-kryeprokurorin.
Vendimi i bërë publik nga SPAK bën fjalë edhe për dy prona që janë sekuestruar, një apartament në Durrës dhe toka në Tiranë.
Ndërkohë Llalla ndodhet në arrati jashtë vendit. Më herët, disa shqiptarë në Romë publikuan fotot e tij duke pritur trenin, çka rrëzon pretendimet e avokatit se ish-Kryeprokurori po merr mjekim në një spital.
Njoftimi i SPAK:
Mbi përfundimin e gjykimit ndaj të pandehurit Adriatik Llalla
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi:
‘Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar’.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale ‘Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen:
Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës.
Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë.
Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.
Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.
/a.r