Aleksandra Mursalova, nënë e dy fëmijëve, psikologe dhe terapiste e marrdhënieve bashkëshortore, mbeti e vdekur nga goditjet me thikë pas një shpërthimi xhelozie të burrit të saj, i cili e hodhi më pas trupin e të resë nga ballkoni, në një lartësi prej 40 metrash.
Mediat raportojnë se Mursalova, pak ditë më parë kishte postuar në rrjetet sociale se bashkëshorti i saj, Rustam Mursalov e kishte kërcënuar me jetë atë dhe fëmijët. 24-vjeçari e qëlloi bashkëshorten e tij disa herë me thikë në kokë dhe qafë.
Ngjarja ndodhi në Shën Petërburg, Rusi dhe sipas policisë vendase, Rustam Mursalov kishte pranuar se kishte vrarë nënën e fëmijëve të tij për shkak se ishte xheloz për fitimet e saj.
Aleksandra punonte me njerëz të pasur në qytetin verior rus, për të cilët shkruante se iu mësonte të dashuronin e të zgjidhnin problemet shpejt. 25-vjeçarja ishte e hapur me ndjekësit e saj në internet, duke iu dokumentuar ngjarje nga jeta e saj e përditshme, përfshirë problemet në çift.
“Ai trokiti në derë, më tha se do të vrasë mua dhe dy fëmijët dhe më pas do të hidhet poshtë (nga lartësia). Mora fëmijët dhe ndryshova apartament, por ai vjen çdo natë, merr në cetofon, zgjon fëmijët dhe i tremb”, shkruante ajo pak ditë para ngjarjes tragjike.
Nuk dihet nëse e reja kishte kontaktuar me policinë pas këtyre incidenteve, por prej kërcënimeve të vazhdueshme ajo kishte marrë dy vajzat për të jetuar larg.
/m.j