Sot nga ora 09:30, në Hagë të vazhdojë procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafës.
Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021, raporton Express.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.
Seancën e kaluar Mustafa deklaroi se është i pafajshëm dhe braktisi seancën pasi sipas tij asnjë nga akuzat e lexuara nga prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Jack Smith nuk ishte e vërtetë. Smith tha se të gjitha viktimat e komandant “Calit”, siç njihet Mustafa ishin shqiptarë të Kosovës.
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.
g.kosovari