Qytetarët rusë iu janë drejtuar kutive zgjedhore për të votuar parlamentin e ri, duke i dhënë fund zgjedhjeve treditore. Procesi i votimit nisi të premten, ndërsa është shoqëruar me akuza të forta për parregullsi.
Partia e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”, pritet të fitojë zgjedhjet, edhe pse sondazhet e fundit kanë treguar për një rënie të dukshme të mbështetësve të tij.
Mirëpo, partia që mbështet Putin mund të rrezikojë të humbasë shumicën e gjerë në parlament, e cila aktualisht ka 3/4 në parlament, nga 450 vende. Anketat e opinionit publik para zgjedhjeve treguan se popullariteti i partisë në pushtet kishte rënë në rreth 30%.
Komunistët rusë është partia e dytë më e fortë në vend, ndërsa pretendon të fitojë më shumë vota, duke u bazuar tek përkrahja nga mbështetësit e opozitarit të burgosur Alexey Navalny.
Ky i fundit kishte krijuar një aplikacion, i quajtur “Smart Voting”, e cila u tregonte se kë duhet të votojnë përdoruesve, se cilët kandidatë mund të rrëzojnë partinë në pushtet. Por gjigandët teknologjikë, “Apple” dhe “Google” e hoqën nga platformat e tyre aplikacionin e Navalnyt, pasi autoritetet ruse i kërcënuan me gjoba të mëdha.
Në këto zgjedhje, për herë të parë prej vitit 1993, vëzhguesit zgjedhorë nga OSBE nuk ishin prezentë në proces. Pratia e Putin deri më tani ka gëzuar kompetenca të plota për të ndryshuar Kushtetutën, ashtu siç bëri vitin e kaluar duke lejuar që presidenti të kandidojë edhe për dy mandate të tjera pas vitit 2024.