Paranoja e diktatorit Enver Hoxha për sulme imagjinare bunkerizuan vendin në fund të vitit 1960. Në fshehtësi në cdo qytet të vendit u ndërtuan dhe u pajisën me orendi bunkerë e tunele nëntokësore. Një nga më të mëdhenjtë është dhe ky në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për tunelin e ndërtuar në vitet 1970 që përkon me luftën e ftohtë jo vetëm në Shqipëri po dhe në vendet e lindjes. Brenda këtyre ambienteve do të strehohej byroja politike në rast se do të kishte sulme të brendshme apo të jashtme sic thuhej në atë kohë.
Është 800 metra i gjatë. I projektuar si një labirint me degëzime për t’u lidhur me godina të ndryshme të asaj kohe. Punimet nisën rreth vitit 1969-1970 dhe zgjatën 18 vjet.
Një qytet nëntokësor me 60 dhoma, ku se cila prej tyre u ideua të kishte një funksion të caktuar. Mbi dyer janë ende disa tabela që i kanë rezistuar kohës. Hetuesia, zyrat, salla e mbledhjeve janë disa nga dhomat ku kanë mbetur orendi origjinale. Ciceron Bruno Pjetri na shoqëron në disa nga ambientet për të na shpjeguar funksionet e tyre.
“Kjo është zyra e Sekretarit të Parë të Partisë që është dhe personi më i rëndësishëm dhe kjo është dhoma më e madhe po të shohësh është dhe një krevat se ata do punonin dhe do rinin 24 orë në rast sulmi nuklear” shprehet Bruno Pjetri.
“Kjo është Zyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv që është personi i dytë për nga rëndësia për mbarëvajtjen e punëve të qytetit. Siç është kryetari i bashkisë sot. Kjo dhe zyra e sekretarit të parë të partisë janë dhe zyrat më të mëdha në këtë tunel. Dhomat e tjera janë të bardha dhe këto të dyja jeshile për ti veçuar për rëndësinë” tregon më tej ai.
“Kjo është salla e mbledhjes ku supozohej se këtu do fillonin një ditë normale pune nga punonjësit e byrosë politike kjo ndan tunelin në dy pjesë ku nga njëra anë është Komitetit Qëndron i Partisë dhe nga ana tjetër Komiteti Ekzekutiv” thotë ai.
Kapaciteti i këtij tuneli u llogarit për 200 deri 300 persona që do të qëndronin për një periudhë 2-3 mujore. Nuk ka munguar as aspirimi, gjeneratorët nëse energjia do ndërpritej, depo uji edhe ushqimesh.
“Janë rreth 60 dhoma gjithsej janë 4 hyrje dalje në cdo hyrje ka një dhomë, ventilimi dhe katër pesë dhoma që shërbejnë si depo që do përdoreshin për punonjësit e udhëheqjes. Kemi dhe vendin ku do konservoheshin ushqimet këtu në këtë dhomë ku jemi. Çdo 6 muaj ndryshonin ushqimin, imagjinoni ç’humbje mund të këtë pasur për ekonominë.
Përgjatë gjithë tuneli ka tubat ventilimi. Ka pasur dhe depo ujit. Këtu ka pasur energji po nëse, do kishte problem do përdoreshin gjeneratorët. Këtu është një gjenerator kanë qenë dy po një u vodh nga njerëzit pas viteve 90. Gjeneratori është i markës “skoda” i vitit 1968 është çek dhe punonte me naftë, këtu janë dhomat e depozitimit të naftës” tregon ciceroni.
Me tunelin jo pa qëllim lidheshin dhe dy institucionet më të rëndësishme të asaj kohe. “Ky është tuneli që lidhte Komitetin e Ekzekutiv me Komitetin Qendror të Partisë është 400 metra i gjatë po fatkeqësisht ka rënë një pjesë. Veçantia është se është i vetmi tunel poshtë një kalaje. Në jemi saktësisht poshtë Kalasë së qytetit, diku rreth 80-90 metra poshtë tokës”.
Shumë orendi u grabitën pas vitit 1990, ato pak që janë origjinale. “Në 1997 më tepër tuneli u shkatërrua, njerëzit hynë brenda dhe cdo gjë, karrige, tavolina. E hapëm për vizitorë në 2014 dhe jemi munduar ta bëjmë sa më atraktiv” thotë Bruno Pjetri.
Pas kulmit të pandemisë ky tunel këtë verë pati vizitorë të shumtë. “Është një nga muzetë që frekuentohet kryesisht nga të huaj, afro 90% janë të huaj. Edhe në vendet e tyre ka tunele të tillë, që janë ndërtuar gjatë Luftës së dytë botërore dhe gjatë Luftë së ftohtë, por nuk janë të hapur. Ndaj vijnë dhe e vizitojnë. Viti i kaluar ka qenë i vështirë, po këtë vit është vizituar nga rreth 500 vizitorë, kryesisht nga vendet të lindjes, pak europian për shkak të kushteve të pandemisë se nuk kanë qenë shumë të lirë”.
Gjatë vizitës sonë takuam dhe një turiste që dha një këshillë. “Ishte një vizitë shumë interesante. Vizita këtu të bën të mos duash të kujtosh atë kohë. Por është interesante tu tregojmë njerëzve për të shkuarën dhe kështu nuk do shkojmë pas në kohë”.
Sipas përgjegjësit të trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Gjirokastrës, Ilir Lluri tunele të tilla ndërtoheshin në fshehtësi të plotë larg syrit të popullatës. Punëtorët kërcënoheshin për të mos bërë asnjë gabim. Ai na njeh me sekretin që I besoi një prej punonjësve para se të jepte shpirt.
“Sekreti më i fuqishëm i asaj kohe ka qenë sekreti ushtarak. Ka pasur dhe dënime të njerëzve që dekonspironin punimet, vlerën e tyre, as sot s’kemi vlerë sa ka kushtuar. Jemi duke plotësuar deri diku gamën e punonjësve, minatorëve që punuan aty, që punuan nën presion se mos shkatërronin Komitetin e Partisë se tuneli është shumë ngjitur me tunelin. Para ndarjes së jetës të mikut tim Ahmet Ahmeti, që ka punuar në tunel, më besoi një detaj në telefonatën e fundit.
Më tha se ju kishin thënë se dhe një xham të thyenin do hynin në burg, ai ju tha jemi garant për njerëzit, se xhama do thyhen nga shpërthimet e minave dhe xhama u thyen. Po nuk dimë në pati pasoja në njerëz apo dënime në njerëz. Një pjesë e njerëzve që ndërtuan ishin të goditur politikisht se shumica e punëve bëhej nga këta njerëz. Ju e merrni me mend se në çfarë presioni kanë punuar”, deklaron ai per abcnews.al.
Tunel për ti rezistuar kohës ka nevojë për mirëmbajte dhe bashkia ka gati një projekt. “Tuneli për shkak të lagështisë i amortizon shumë shpejt pajisjet që mund të lihen brenda dhe deri në zgjidhjen e aspirimit që është një projekt që është duke u finalizuar nga ana e bashkisë do të riplotësohet me elementë, për të plotësuar atmosferën e funksioneve të kohës të pushtetit politik dhe ekzekutiv, të cilët do drejtonin qytetin nga bodrumet e nëndheshme apo nga tuneli I nëndheshëm” shprehet Ilir Lluri, përgjegjës trashëgimisë kulturore Bashkia Gjirokastër.