Dëshmia e një personi se Davide Pecorelli ishte i gjallë, i ka dhënë fund farsës së biznesmenit italian i cili prej më shumë se 9 muaj qëndronte i fshehur, pa pasur asnjë kontakt me familjarët e tij dhe duke bërë të gjithë të besojnë se kishte humbur jetën në Pukë. Mediat italiane bëjnë të ditur se hetuesit e çështjes kishin zbuluar më parë shenja të cilat tregonin se ai ishte i gjallë.
Madje kryeprokurori, Raffaele Cantone dhe Zëvendësprokurori Giuseppe Petrazzini kishin deklaruar se ata kishin dëshminë e një personi i cili kishte deklaruar se e kishte parë Pecorellin të gjallë.
Biznesmeni italian kishte inskenuar vdekjen e tij tragjike në Pukë, ku kishte djegur makinën të cilën e kishte marrë me qira dhe në të cilën ishin gjetur disa eshtra.
Të dhënat e fundit për Pecorellin ishin disa mesazhe që ai i kishte shkëmbyer me një mik, në të cilin ai theksonte se ai gjendej në Shqipëri për të negociuar me bizneset vendase.