Fjalimi i tij në Parlament u shoqërua me të qeshura nga kreu i PD-së si dhe deputetët nga të dy krahët politikë, po deputeti demokrat Saimir Korreshi tha se kjo gjë nuk përbën aspak problem.
Korreshi tha se kishte prekur të vërtetën e asaj që ndodh në Lushnjë e mbarë vendin po e kishte bërë në mënyrë gazmore.
“Është keqkuptim i mediave. Pata mundësi që të shprehem në Kuvend. Për mua nuk ka asnjë problem nëse qesh. Ndoshta kreu i PD i dinte batutat.
Ishte seancë maratonë e gjatë, kemi qenë vetëm ne deputetët e opozitës, edhe ministrant nuk patën guxim të rrinë në foltore. Situata ku jemi është tragji-komike.
Unë godita me shakanë dhe humorin për të treguar situatën tragji-komike ku ndodhemi. Realisht Lushnja është në situatë të rëndë ekonomike.
Po të shikoni unë s’e kam prishur terezinë fare, ishin doza humori. Nuk ka qenë mungesë respekti për fjalën time. Unë preka realitetin në Lushnjë, ata ministra nuk e dinë gjendjen ku ndodhet Spitali i Lushnjës.
Spitali i Lushnjës është sot vetëm për synetlliqe dhe apendecit. Në Lushnjë pas orës 8 të darkës ka vetëm burra e qen”, tha ndër të tjera demokrati Korreshi.
/a.r