Muzika rock, e ngjashme me mjeshtëritë e Hendrixit në kitarën elektrike na eksiton, sepse imiton thirrjen e lashtë për ndihmë. Ndryshimet e papritura dhe pa harmoni në lartësi dhe frekuencë të toneve veprojnë në mekanizmat e njëjtë emocionalë, si dhe tingujt që i prodhojnë kafshët për të njoftuar anëtarë të tjerë të tufës për rrezikun potencial.
Kur kafshët vërejnë rrezikun ato prodhojnë tingull disonant, të papërputhshëm që tek të tjerët nxisin reaksion emocional. Shkencëtarët nga Universiteti UCLA pohojnë se si tinguj të ngjashëm, si versioni i Hendrix-it i himnit amerikan në Woodstock, veprojnë në njerëz, sepse jemi të programuar në aspektin evolucionar të reagojmë në zhurmën e ashpër, transmeton Koha.net. E njëjta vlen edhe për tingujt në filmat horror, si skenat e njohura në tualet tek “Psycho” i Hitchcock-ut. Ekspertët po ashtu kanë zbuluar që tingujt disonant në shumicën e rasteve janë të lidhura me emocionet negative si frika ose pikëllimi.
“Ky studim shpjegon pse muzika rock ndikon kaq shumë në njerëz: ajo zgjon kafshën në ne. Kompozitorët me intuitë e dinë se cilët tinguj na frikësojnë dhe kështu pavetëdijshëm përdorin karakteristikën tonë evolucionare për t’u ngazëllyer apo të kemi emocione negative kur dëgjojmë tinguj specifik”, tha Greg Bryant, profesor i shkencave të komunikimit dhe një nga autorët e studimit.