Thuajse e gjithë forca policore e shtetit do të jetë në gjëndje të mobilizuar natën e Vitit të Ri për tu kujdesur për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Rreth 70% e efektivëve të policisë do të jenë në terren për t’iu përgjigjur në kohë problematikave që lindin në natën e ndërrimit të viteve, jo vetëm në qytete por edhe në zona të tjera, siç janë edhe pikat kufitare.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisht edhe trafikut që krijohet sidomos në kryeqytet dhe mundësisë për të evituar aksidentet rrugore, ku dihet se shumë drejtues automjetesh do t’i japin makinës në gjëndje të dehur natën e Vitit të Ri. Për të shmangur fatalitete apo aksidente të mundshme, patrulla të shumta policie do të jenë të shpërnara nëpër akset kryesore rrugore.
Përsa i përket policisë kufitare, kreu i policisë së shtetit Haki Çako ka kërkuar shtimin e sporteleve për të pëërballuar fluksin e personave që vijnë për të festuar Vitin e Ri në Shqipëri si dhe një shërbim sa më të shpejtë dhe të kulturuar për qytetarët.
Vëmendje do t;i kushtohet gjithashtu edhe parandalimit të krimeve, qofshin ato kundër jetës apo kundër pasurisë së qytetarëve.
“Strukturat kundër krimit të organizuar e krimeve të rënda dhe ato të krimit ekonomik të bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e veçanërisht me ato të policisë kufitare me qëllim që të parandalohet e të goditet veprimtaria e paligjshme që mund të zhvillohet në pikat e kalimit apo në kufirin e gjelbër duke përfituar nga fluksi apo nga ditët festive”, – thuhet në urdhrin e kryepolicit Çako.
Në shërbim gjatë natës së ndërrimit të viteve do të jenë:
Policia e rendit
Policia rrugore
Policia kriminale
Forcat operacionale
Strukturat e Krimit të Organizuar e Krimeve të Rënda
Strukturat e Antiterrorit