75% e stafit akademik të universitetit të Tiranës eshte vaksinuar. Rektori i universitetit Artan Hoxha, pavarësisht se është kundër vaksinimit të detyruar, ai i bëri thirrje studentëve të vaksinohen pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të kthehen në auditor. Prej 15 Shtatorit në universitete janë ngritur qendra të vaksinimit.
Sipas rektorit të universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, mbi 75% e stafit akademik të këtij universiteti është imunizuar ndaj covid 19. Dy fakultetet me ecurinë më të mirë të vaksinimit janë Filologjiku, me mbi 95% të stafit të vaksinuar dhe Shkencat e Natyrës me 85%, ndërkohë që fakulteti i Drejtësisë ka numrin më të ulët të pedagogëve të imunizuar.
“Ne jemi rreth 1200, nga këta 900 e ca janë vaksinuar. Shumica 760 me të dyja dozat, kurse 160 janë me një dozë të parë dhe janë në proces”, është shprehur Artan Hoxha.
Sipas rektorit ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të nisi viti i ri akademik 2021-2022. Dëshira e tyre është që të bëjnë mësim fizik në auditor ndaj u ka bërë apel studentëve që të vaksinohen, edhe pse u shpreh kundër vaksinimit të detyruar. Në universitin e Tiranës janë 22 mijë student, por ende nuk ka një të dhënë se sa për qind e tyre janë vaksinuar.
“Unë mendoj që vaksinimi nuk ka pse të jetë i detyrueshëm, vaksinimi të jetë një vlerësim i gjithsecilit, por ajo që duhet të dimë është që interesi publik në disa raste mund të cenoja dhe të drejtat e individit. Ne jemi përpara fillimit të vitit të ri akademik i cili akoma nuk është përcaktuar se si do zhvillohet, kështu që ne duhet të përgatitemi që këtë vit ta fillojmë në auditor. Që të jemi në auditor, ne duhet të jemi të mbrojtur”, është shprehur rektori i UT Artan Hoxha.
Këto deklarata u bënë gjatë ceremonisë përkujtimore për ndarjen nga jeta të dy pedagogeve të Fakultetit të Ekonomisë dhe studentes ekselente Euxhena Jorgji nga Covid-19. Në kujtimit të tyre në oborrin e fakultetit të ekonomisë u mbollën tri pemë ulliri.
Në total në universitetin e Tiranës kanë humbur jetën nga covid 19, 6 persona, prej tyre 4 janë pedagogë, një personel ndihmë akademik dhe një studente.
/a.r