Duke nisur nga dita e sotme Bashkimi Evropian njeh Certifikatat e Vaksinimit kundër COVID-19 të lëshuar nga Shqipëria. Një deklaratë e cila ishte paralajmëruar disa ditë më parë edhe nga kryeministri Edi Rama.
Një vendim i cili ndikon drejtpërdrejt në heqjen e pengesave të shqiptarëve për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së pa patur nevojën e një testi anti-COVID.
Së bashku me njohjen e Certifikatës së lëshuara nga autoritetet shëndetësore shqiptare njihet edhe ajo nga Andorra, Ishujt Faroe, Izraeli, Monako, Marok dhe Panama . Vendimi i Komisionit Evropian i konsideron Pasaportat e vaksinimit në këto vende me vlerë të njëjtë me Green Passport të lëshuar nga autoritetet evropiane.
Për pasojë të shtatë vendet dhe territoret do të lidhen me sistemin e BE -së dhe certifikatat COVID që ata lëshojnë do të pranohen në BE nën të njëjtat kushte si Certifikatat dixhitale të BE -së për COVID. Në të njëjtën kohë edhe vendet dhe territoret kanë rënë dakord të pranojnë Certifikatën dixhitale COVID të BE për udhëtime nga BE në vendet e tyre.
Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, tha se gjatë kësaj vere qytetarët kanë qënë në gjendje të udhëtojnë të sigurt falë Certifikatës dixhitale COVID. Deri tani 27 vendet anëtare të BE-së janë pjesë e Green Passport po ashtu edhe 15 vende jo anëtare të unionit.
/a.r