Kopsitja e paketës së teksteve shkollore për gjithë ciklin e detyrueshëm arsimor, sivjet edhe për klasën e tetë dhe të nëntë ka “detyruar” Ministrinë e Arsimit të bëjë shtesa në udhëzimin e shpërndarjes së teksteve.
Shtyrja e nisjes së vitit të ri shkollor, u ka dhënë më tepër kohë shtëpive botuese dhe shkollave të pajisin me libra nxënësit e të gjitha klasave, përfshirë dhe rakordimin e faturave që do të duhet të bëhet për ato që përfitojnë tekste falas, në arsimin e detyruar 9-vjeçar, si dhe disa kategori të caktuara në arsimin e mesëm.
Përmes një udhëzimi të posaçëm, Ministria i porosit distributorët të ruajnë faturat me qëllim rimbursimin e shumës në përfundim të procesit.
“Shtëpitë botuese/distributorët duhet të lëshojnë për zyrën vendore të arsimit parauniversitar përkatëse, faturën tatimore të shitjes sipas legjislacionit në fuqi, për sasinë e teksteve shkollore të shitura, pjesë e katalogut, sipas porosisë së kryer për çdo institucion arsimor i sistemit parauniversitar, pasi të kenë rakorduar me këto të fundit për të gjitha kategoritë që përfitojnë tekste shkollore falas”, citohet në udhëzim, duke shtuar që afati i fundit i dorëzimit të faturave, përjashtimisht, vetëm për këtë vit do të jenë datat 15 shtator.
/m.j