Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia e Leshës pasi u kap duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm në autostradën Milot-Morinë.
I riu me iniciale E.P. banues në Kamëz u ndalua nga autoritetet teksa udhëtonte me automjetin tip “Volkswagen” të marrë me qira nga një 18-vjeçar.
Brenda mjetit ishin 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, 31-vjeçari u kishte premtuar kalimin drejt shteteve të BE-së kundrejt një përfitimi monetar.
Në kërkim është shpallur dhe 18-vjeçari me iniciale F.D. i cili i la me qira mjetin të arrestuarit.
Njoftimi i Lezhës:
Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga një 31-vjeçar që u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Gjithashtu, shpallet në kërkim policor 18-vjeçari që kishte marrë me qira mjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët e paligjshëm.
Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet tip “Volkswagen” po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-E. P., 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Kukës.
Shtetasi E. P. është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot- Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin tip “Volksëagen”, të marrë me qira nga shtetasi F. D., 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.
g.kosovari