Tregu kinez po rritet fuqishëm për “BMW”, deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua”, Frank Van Meel, zv.drejtori i prodhimit i kompanisë gjermane të makinave, gjatë eventit “IAA Mobility” në Mynih.
Sipas Van Meel, duke pasur parasysh vëllimin në tregun lokal me partnerët e “BMW”-së, prodhimin lokal dhe bazën e furnizuesve në Kinë, tregu kinez po lulëzon për kompaninë bavareze.
“Është ende një nga tregjet në rritje më të fortë. Kina është përballur shumë mirë me pandeminë Covid-19 dhe ky ka qenë një faktor pozitiv që ka lejuar që tregu të vazhdojë të rritet më tej”, -theksoi Van Meel.
Shifrat e publikuara më parë nga Grupi BMW tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti kompania me bazë në Mynih arriti rezultate të shkëlqyera në Kinë, duke shpërndarë më shumë se 467.000 automjete të markave BMW dhe Mini për klientët kinezë. Shifra shënon një rritje prej 41.9% në bazë vjetore, duke thyer një rekord të ri në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/b.h