Lindita Nikolla është zgjedhur sot, me 79 vota pro e 4 kundër kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së parë të saj në këtë post të rëndësishëm, Nikolla tha se ndihet e lumtur e krenare, ndërsa bëri kërkesën që parlamenti i ri të jetë konstruktiv dhe të ketë debate e jo përçarje.
“Faleminderit. Të dashur qytetarë shqiptar. E nderuar drejtuese e seancës. Të nderuar kolege e kolegë deputetë. Të jem sot para jush, para popullit shqiptar, për të qenë e para në Kuvendin e Shqipërisë, është një nder që nuk thuhet dot me fjalë. Përkushtimi ndaj Republikës, Kushtetutës dhe ligjit kanë qenë përherë detyrë për mua.
Sot bëhen përgjegjësi ende më e lartë. Sot marr një angazhim të fortë, por të sigurt, për të drejtuar punën tonë të përbashkët me debat, por jo ngritje, bashkëpunim, e jo përçarje. Dua të falënderoj zotin Ruçi për modelin që krijoi në karrierën politike.
Ky Kuvend është rezultat i zgjedhjes së lirë të zgjedhjes së 25 prillit. Shifrat dhe faktet zgjedhore, e madje as përkatësia ime politike nuk do të jenë ylli i karvanit në detyrën që marr përsipër.
Për mua pakicën dhe shumicën do i dallojnë numrat. Bashkë Kuvendin duhet ta bëjmë një pasuri publike, e jo një problem për publikun. Të mos kërkojmë përgjigje të majta apo të djathta, por të drejta. Në këtë sallë armiku s’jemi ne. Ne jemi individë me pikëpamje të ndryshme dhe të kundërta”, tha Nikolla.
/b.h