Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka thirrur në seancë deputeten Grida Duma dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Togat e zeza kërkojnë praninë e domosdoshme në seancë të dy palëve, ose në të kundërt çështja mund të pushohet.
Ka qenë deputetja e PD Grida Duma që ka paditur për shpifje Erion Veliajn dhe kërkon prej tij 3 milionë lekë dëmshpërblim.
Gjyqtari Erjon Bani ka vendosur që të dyja palët të përballen më datë 22 shtator, ora 10:00, në GJKKO, shkruan Ora Neës. Në të kundërt, nëse kërkuesja që në këtë rast është Grida Duma, nuk paraqitet padia ndaj Veliajt do të pushohet.
Sipas deputetes së PD, Erion Veliaj ka ngritur një sërë akuzash të drejtpërdrejta, duke e akuzuar atë si trafikante apartamentesh. Ajo i ka konsideruar këto akuza si trillime.
“Dëmi i parashikuar do të shkojë deri në 3 milionë lekë të reja. Në varësi të vendimit të gjykatës, unë deklaroj se ky dëm do t’i shkojë shtetit shqiptar dhe askujt tjetër.
Ajo që duhet të përmendim qartë dhe pastër është se drejtësia është më e rëndësishmja sot për të rindërtuar Shqipërinë”, ka thënë Duma.
/m.j