Nga Xhevdet Shehu
Si sot, 78 vjet më parë, më 8 shtator 1943, u ekzekutua gazetari dhe shkrimtari i shquar çek Julius Fuçik, pas tre muajsh burgosje dhe torturash nga nazistët gjermanë në Berlin. Ishte 40 vjeç kur vdiq. Në kulmin e pjekurisë profesionale dhe artistike. Po, ishte dhe komunist. Ai ishte një antifashist i orëve të parë dhe ishte në ballë të rezistencës anti-naziste. U bë i famshëm botërisht me librin e tij “Reportazh me litar në grykë” i cili është botuar edhe në gjuhën shqipe shumë vite më parë. Fuçikut i përket shprehja lapidare “Njerëz unë ju dua! Jini vigjilentë!”.
8 Shtatori Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit të Gazetarëve u vendos në Bukuresht më 1958 në Kongresin e Katërt të Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Pas rënies së perdes së hekurt në vitet ‘90 dhe rënies së regjimeve komuniste, nuk janë të paktë ata që nuk deshën e nuk duan ta kujtojnë më Fuçikun dhe aspiratën e tij. Sepse ai ishte një antifashist i madh, simbol i një qëndrese të pashembullt gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në skenë dolën hapur neofashistët që iu turrën pushtetit dhe në jo pak raste ia arritën qëllimit të hidhnin baltë dhe të përdhosnin Luftën e madhe antifashiste dhe heronjtë e saj.
Fuçiku duhet kujtuar dhe nderuar si një antifashist dhe si një idealist i madh. Si Qemal Stafa ynë. Idealistë të papërsëritshëm në llojin e tyre.
Në këtë kontekst unë mendoj se në çdo 8 shtator e vlen të kujtohet e të nderohet jo vetëm gazetari i madh çek, por edhe të gjithë gazetarët që ndjekin shembullin e Fuçikut. Sidomos këtu në Shqipërinë tonë. Dhe po e përsëritëm shprehjen e famshme të tij “Njerëz, jini vigjilentë!” nuk bëjmë gabim.
Koha i kërkon dhe ka nevojë të domosdoshme për gazetarët si Fuçiku, sa herë që politika dhe politikanët rrëshqasin djathtas ekstremist, aq sa e shpallin hapur nostalgjinë për Hitlerin a Musolinin dhe marrin nën sqetull pinjollët e bashkëpunëtorëve të tyre.
Në vijim do të përpiqem të bëj portretizimin dhe dallimin midis gazetarit dhe politikanit.
***
Nuk ka dyshim se një nga treguesit më të prekshëm për nivelin e demokracisë së një vendi është shtypi, që me të drejtë konsiderohet si pushteti i katërt. Ky pushtet i shtypit shpesh përdoret si metaforë, herë të tjera shihet me xhelozi, sidomos nga ata që në fakt kanë në duar tre pushtetet e tjera. Por ky pushtet i katërt realisht ekziston dhe forca e tij ndihet, ndihet sidomos në shoqëri, ndaj dhe ngjall xhelozi. Dhe xhelozia të çon te kufizimi i lirisë. Mirëpo liria e shtypit është e lidhur ngushtësisht me lirinë e njeriut. Prangat për shtypin janë robëri, janë pranga për trurin njerëzor dhe lirinë në përgjithësi. Janë pranga për demokracinë. Ne shqiptarët e dimë shumë mirë ç’do të thotë kjo. I njohim dhe sakrificat që janë bërë në emër të kësaj lirie. Duke u paraprirë zhvillimeve demokratike dhe për ndikimin në shoqëri, gazetarët janë njerëz publikë dhe shpesh (pafajësisht) krahasohen me politikanët. Flas për ndikimin e tyre në shoqëri dhe jo për shkallën e privilegjeve që ata gëzojnë dhe që përgjithësisht dallojnë si nata me ditën. Ndaj dhe në këtë shkrim po tentoj të bëj ndonjë përqasje për gazetarët dhe politikanët, ku bashkohen e ku ndahen ata.
Mirëpo, në kushtet e një politizimi të skajshëm të shoqërisë shqiptare në tranzicion, megjithëse kanë kaluar jo pak vite nga përmbysja e diktaturës komuniste, kur njerëzit e rëndomtë hiqen më politikanë se politikanët, kur gëlojnë nga të gjitha anët turma grafomanësh turlisoj, ndërsa zhvillohet një luftë e egër dhe e paprinciptë midis forcave të ndryshme politike, përcaktimi i qartë dhe i prerë i pozicionit të gazetarit në raport me shoqërinë në tërësi dhe sidomos me klasën politike në veçanti, është i vështirë të bëhet. Sepse do apo s’do, puna dhe fati i gazetarëve është i lidhur me këto zhvillime dhe sidomos me faktorët politikë që përcaktojnë këto zhvillime. Sidoqoftë, mendoj se është e nevojshme të qartësohet qoftë edhe disi ky raport, duke dhënë paraprakisht një përcaktim të protagonistëve të gazetarisë dhe të politikës.
Pra, ç’përfaqëson gazetari dhe ç’përfaqëson politikani?
Gazetari është një vëzhgues i vëmendshëm i ngjarjeve, të cilat i shikon dhe pasqyron sipas një pikëvështrimi të caktuar, në shërbim të një politike të caktuar. Megjithatë, edhe kur punon në një gazetë, radio apo TV të politizuar, ai synon drejt realizmit, realizëm që i siguron auditorin e domosdoshëm, lexuesit, spektatorët apo dëgjuesit e shumtë. Ky parim qëndron në themel të gazetarisë së vërtetë, ose të atij që quhet profesionalizëm në një pushtet me ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik. Këtej buron respekti dhe dinjiteti i gazetarëve të vërtetë, që mendoj se është dukshëm më i nderuar se ai i politikanëve, figura e të cilëve është zhvlerësuar dhe bjerrur habitshëm. (Ndryshe nuk ka si shpjegohet rënia drastike brenda pak viteve e përqindjes së shqiptarëve që shkojnë në votime).
Sepse gazetari bën politikë, por nuk është politikan.
Ka një dallim të dukshëm, thelbësor, midis gazetarit dhe politikanit. Gazetari në përgjithësi flet me gjuhën e bindjeve që i kalojnë kufijtë e një partie, ndërsa politikani flet me gjuhën e partisë që i bindet.
Politikani është “rob” i vendimeve dhe programit të partisë; gazetari, më shumë se partinë, respekton ligjet e fjalës së shkruar. Ndaj politika që bën gazetari është më jetëgjatë se ajo e politikanit.
Politikani u flet njerëzve për ta dëgjuar në të tashmen, gazetari u flet që ta besojnë në të tashmen dhe të ardhmen.
Politikani synon pushtetin, gazetari të vërtetën.
Verba volant, scripta manent, thotë latini.
Makiaveli te vepra e tij e mrekullueshme “Princi” jep një përcaktim tepër të goditur që i shkon për shtat idesë sonë në këtë shkrim: Për të njohur mirë natyrën e popujve është e domosdoshme të jesh princ, ndërsa për të njohur mirë princërit, duhet të jesh popull.
Gazetari ka privilegjin të ndodhet midis princit dhe popullit. Ose, më saktë, ai duhet thënë se ndodhet sa midis princërve, aq dhe midis popullit. I baraslarguar nga të dy palët dhe midis të dy palëve njëherësh, gazetarit, si askujt i jepet mundësia të njohë mirë princërit (domethënë pushtetarët, politikanët, ministrat, deputetët) dhe nga ana tjetër popullin (intelektualët, punëtorët, tregtarët, fshesaxhinjtë, të papunët, pensionistët) mes të cilit ai jeton përditë si pjesë e pandashme e tij.
Ndërsa, i distancuar disi në kohë, gazetari është në gjendje të gjykojë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq në një periudhë të caktuar…
Duhet të pranojmë se gjatë këtyre viteve të postkomunizmit në Shqipëri është bërë një lëvizje e fuqishme përpara në lirinë e shtypit, duke e bërë atë interesant dhe të larmishëm. Por në të njëjtën kohë duhet të pranojmë se ka ndodhur edhe dukuria tjetër, shpërdorimi i fjalës së lirë, madje shpesh deri në kufij të paimagjinueshëm. Te kjo dukuri duhet të kërkojmë uljen e besueshmërisë ndaj shtypit të shkruar dhe medieve audiovizive, sikurse kanë treguar dhe anketat e bëra herë pas here.
Shpesh ne flasim për krizë të shtypit, pa hyrë në problematikën që ka ky shtyp, madje pa shtruar as pyetjen e thjeshtë: Pse shtypi është në krizë? Po të shtrojmë këtë pyetje, domosdoshmërisht do të marrim së paku disa përgjigje dhe do të arrihet në disa përfundime.
Konkluzioni i parë që do të dalë nga një analizë sado e thjeshtë është ai i qëndrimit denigrues ndaj gazetarëve. Gazetarët (me pak përjashjtime) në përgjithësi janë nga njerëzit më pak të paguar në Shqipërinë e këtyre viteve. Dhe në këtë aspekt vërehet një dallim i rëndësishëm i tyre nga politikanët, që janë natyrisht njerëzit më të kamur. Gazetarët që paguhen më mirë janë pak a shumë ata që i shërbejnë një politike të caktuar, që kanë një ombrellë mbi krye, por që natyrisht e kanë të limituar edhe lirinë që u takon brenda piketave që u vë partia apo qeveria që i shërbejnë. Në këto kushte nuk mund të flasim për liri të shtypit, ose kemi të bëjmë me një liri të njëanshme, një gjysmëliri. Kurse ata gazetarë që kthehen në shërbëtorë të verbër ndaj politikës dhe parasë shndërrohen në sharlatanë. Qytetarët e thjeshtë të këtij vendi i njohin këta shërbëtore mjeranë dhe jo vetëm si model i së keqes, por edhe si shembulli që nuk duhet ndjekur.
Po edhe kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin shtyp të pavarur, liria gjithashtu është relative. Sepse gazetarët që punojnë kanë një pronar që u jep rrogën (në shumicën e rasteve pa sigurime shoqërore) i cili dikton mbi gazetën, radion apo TV-në që e ka pronë të tij. Dhe pronari shpesh i thotë gazetarit: Bjeri këtij ministri se nuk më dha x tender, apo filan deputeti sepse i përket partisë që nuk e dua unë… Kanë ndodhur këto në shtypin tonë, ndaj dhe tregohen. Ne gazetarët i dimë mirë ato, dimë pushimet e shpeshta nga puna, deri edhe gjyqet që janë zhvilluar kundër gazetarëve që janë rebeluar ndaj partisë, qeverisë së madhe apo pronarit të vogël të medias ku punon. Dimë gjithashtu lëvizjet mjaft të shpeshta të gazetarëve të rinj sa në një gazetë në një tjetër, sa në një TV në tjetrin. Këto natyrisht e bëjnë të mërzitshëm këtë profesion fisnik, ndaj dhe janë aq të shpeshta largimet e gazetarëve për në ndonjë qoshe më të rehatshme e në punëra të tjera me rrogë pak më të mirë. Sepse këtu ndodh që ministri zihet me grushta me gazetarin, ndërsa presidenti apo kryeministri hap gjyqe ndaj gazetarëve që i nxjerrin faqe bote të palarat e paudhësitë e kabinetit të tij.
Disa vite më parë i kam shkruar një letër urimi publikisht kolegut Naim Zoto për guximin që tregoi duke kritikuar një qëndrim të gabuar të partisë së tij në pushtet në gazetën e partisë së tij, duke e konsideruar atë si një akt të bukur emancipimi për shtypin shqiptar. Dhe duhet ta pranojmë se ka një ecje përpara në këtë drejtim. Por jo gjithmonë ndodh kështu…
Mund të sillen shembuj të panumërt për të ilustruar konceptin e mbrapshtë të partive (pra të politikanëve) për parcelizimin e shtypit dhe pronësimin e tij, rritjen e ndikimit mbi të, me qëllimin e vetëm për ta robëruar e për pasojë zhvlerësuar atë. Sepse politika dhe politikanët në thelb nuk e duan shtypin e vërtetë. Ata e duan atë vetëm kur u shërben interesave të pushtetit të tyre dhe e urrejnë kur ky shtyp i kritikon apo i përqesh për mbrapshtitë e tyre. Këtej buron prirja mjaft negative e politikanëve për të mercenarizuar agjitatorët e fjalës së shkruar. E kjo është padyshim një nga fyerjet e mëdha që u bëhet gazetarëve që në përgjithësi kanë një koeficient inteligjencie dukshëm më të lartë se ai i politikanëve.
Dolëm kështu te dallimi tjetër i rëndësishëm midis gazetarit dhe politikanit, ai i nivelit të tyre intelektual. Është kjo një arsye tjetër pse gazetarët nuk janë të pëlqyeshëm nga politikanët. Sepse mendoj se ka perënduar koha kur gazetarët shkruanin raportet e fjalimet e anëtarëve injorantë të Byrosë Politike…
Mirëpo, gjatë këtyre viteve kemi ndeshur absurditete nga më të çuditshmet. Një absurditet është fjala vjen që edhe pas tri dekadash të shoqërisë pluraliste, Shqipëria ende llogaritet midis vendeve me liri shtypi vazhdimisht të kërcënuar si në vitet kur në pushtet ishte Berisha. Kam parë shpesh politikanë që, sidomos para fushatave zgjedhore, bëjnë llogari me laps se sa media kanë në anën e tyre dhe sa kundër. Aq dritëshkurtër janë të shkretët sa nuk e kuptojnë që një artikull, një fejton apo një intervistë me një penë të fuqishme gazetari a shkrimtari vlen sa për dhjetëra gazeta të mbushura me broçkulla.
Por megalomania e disa politikanëve arrin deri në kufij gati të paimagjinueshëm. Po e ilustroj këtë me një shembull nga përvoja ime si korrespondent i “Zërit të Amerikës” në gjysmën e parë të viteve ’90, të cilin e kam shkruar edhe në librin “Ambasadori VOA”, ndaj dhe nuk po ngurroj ta përmend edhe në këtë shkrim që ka të bëjë me profesionin e gazetarit dhe dinjitetin e tij në shoqëri.
Ishte një kohë pra, kur partia që fitoi zgjedhjet e 22 marsit 1992 e konsideronte “të vetën” radion amerikane.
Po sqaroj këtu se “Zëri i Amerikës” është 100 për qind shtetëror dhe është interpret i politikës së qeverisë amerikane. Në nenin 3 të Statutit të kësaj radioje thuhet: “Zëri i Amerikës” do të paraqesë parimet politike të Shteteve të Bashkuara me qartësi e efektivitet dhe prandaj do të paraqesë gjithashtu me përgjegjësi diskutimet dhe opinionet e bazuara në këto parime.
E, sepse është i tillë, “Zëri i Amerikës” përmban hapësira të pakufishme të lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Prandaj mund të them pa frikë se radioja amerikane e ndjekur masivisht në kapërcyell të viteve ’90 ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm si për zhvillimet demokratike ashtu dhe për emancipimin e shtypit të lirë shqiptar që do të vinte më pas. Zëri i Amerikës nuk ka shumë enigma. Ai është i qartë në parimet dhe propagandën që bën, në interesat që mbron. Zëri i Amerikës është një radiostacion publik dhe në princip i përjashton kulisat. Por, zigareja e këtij radiostacioni të madh është tepër e ndjeshme, pikërisht nga racionaliteti i madh që kërkohet prej tij, pasi njerëzit janë të vetëdijshëm se pas Zërit të Amerikës është Amerika. Dhe si i tillë është mjaft i lakmueshëm prej të gjithëve, sidomos nga partitë dhe politikanët…
Dhe “Zëri i Amerikës” (seksioni i gjuhës shqipe) ka pjesën shqiptare brenda tij.
Më është dashur të debatoj shpesh me disa politikanë që e konsideronin “të vetin” “Zërin e Amerikës” të cilët me naivitet më pyesnin:
– Me kë është “Zëri i Amerikës”?
-Me Amerikën! – ua ktheja gjysmë me të qeshur, duke shprehur në fakt të vërtetën.
Me kë tjetër mund të ishte ai Zë?…
Po e mbyll këtë shkrim me fjalët e njërit prej presidentëve më të famshëm të Shteteve të Bashkuara, Thomas Jeffersonit, këtu e dyqind vjet të shkuar:
“Kur shtypi është i lirë dhe çdo njeri është në gjendje të lexojë, gjithçka është e sigurt”.