Një prej kandidatëve të Vetëvendosjes për asamblist në Gjilan, gjendet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjala është për Tahir Dalipin. Por, pse është pjesë e kësaj liste? Dega e Vetëvendosjes në Gjilan ka pjesë edhe një person që s’ka raporte të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tahir Dalipi, i cili është anëtarësuar në VV nga janari i këtij viti, është pjesë e “listës së zezë” të ShBA’së. Amerika e kishte cilësuar Dalipin, si një prej njerëzve që kishte kërcënuar përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor.
I kontaktuar nga Express, Dalipi thotë se s’ka marrë asnjëherë ndonjë shpjegim të saktë se pse është pjesë e kësaj liste, por beson se lidhet me aktivitetin e tij si anëtar politik i Ushtrisë Çlirimtare për Presheve, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB).
“Ajo listë daton prej kohës së përpjekjeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë kam qenë anëtar politike i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB).
Edhe UÇPMB’ja pas demitalirizimit edhe këshilli politik i saj kanë hyrë në Listën e zezë si organizata. Aty pastaj janë veçuar disa emra. Në fakt, unë nuk kam marrë ndonjë shpjegim asnjëherë se cila është arsyeja e futjes në atë listë”, ka deklaruar Dalipi.
Sipas tij, lista më nuk është aktive dhe s’ka asnjë efekt, derisa thotë se s’ka bërë asgjë që të jetë pjesë e kësaj liste, por se s’janë vërifikuar gjërat.
“Në fakt arsyeja ka qenë pamundësia e ime në atë kohë që të pajtohem me zgjidhjen që na është ofruar…dhe kjo është marrë si mospajtim apo edhe kundërshtim, por në fund kjo është diplomacia e shteteve të mëdha, nuk pyesin shumë për individët. Nuk janë vërifiku gjanat sa duhet dhe ka ndodh çka ka ndodh. Aktulisht nuk është aktive më ajo listë, realisht s’ka asnjë efekt”, ka thënë ai.
Lajmin se është pjesë e kësaj liste thotë ta ketë marrë vesh nga mediat, derisa shton se ka gjasa që personi në listë mund të jetë dikush tjetër, meqenëse viti i lindjes nuk është i njejtë.
“E kam pa në media, sepse kurrë nuk më është dhënë ndonjë. Ka aty edhe emra bukur të njohur që tash janë në skenën politike. Është shumë e mundur që të jetë ndonjë person tjetër, e të jetë i ngatërruar emri. Mund të jetë personi që e ka vitin e lindjes në atë listë. Seriozitetin e asaj liste e shpjegon edhe vetë ky fakt që nuk janë verifikuar gjërat, sepse veprimtaria ime s’ka qenë ushtarake, por politike dhe në koordinim me aksionet e asaj kohe që ta përmirësojnë gjendjen në Luginën e Preshevës”, është shprehur.
Por, pavarësisht se është pjesë e “listës së zezë”, thotë se nëse do të shkonte në SHBA, s’beson se do të kishte probleme.
“Kurrë s’kam mund të kem aq para sa me shku atje. Unë nuk kam cka kërkoj atje. Për të shku për punë, e dini se është e pamundur. Jam i bindur se po t’i kisha mundësitë dhe po të kisha nevojë, nuk e besoj se do të më shfaqej ndonjë vështirësi e madhe për të shku”, ka thënë Dalipi./Gazeta Express
/m.j