Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka reaguar lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj Dardan Molliqaj dhe disa aktivistëve të PSD-së në Prishtinë. Ajo shkruan se kryeministri Albin Kurti dëshiron ta shuajë çdo zë opozitar në Kosovë. Shahini thotë se Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.
Kreu i PSD Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistë të kësaj parte janë arrestuar ditën e sotme në Kosovë. Bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, është arrestuar pasi ka kundërshtuar paraqitjen për media të kryetares së Gjykatës Speciale.
Reagimi i Besa Shahinit:
Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm.
Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kundër hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve.
Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut. Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.
Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet më të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur.
/m.j