Gjatë një kontrolli anti-drogë në Portin e Durrësit është kapur 10 kg kokaine në një kontejner me banane. Policia ka gjetur disa pako brenda në kontejnerin me banane, ndërsa droga vinte nga Amerika Latine. Nuk dihen ende detaje të tjera, pasi operacioni është ende në zhvillim.
Droga u gjend në kontejnerët e firmës ‘Alba Exotic Fruit’, në pronësi të Eduart Dautit i i cli është në arrati, kapet për herë të 5 me kokainë në kontejnerët. Droga ishte e fshehur në sistemin e ventilimit, njësoj si herët më parë.
“Alba Exotic Fruit” është kompania që po thyen rekord në transportin e kokainës në vendin tonë përmes kontejnerëve me banane. Sasia e kapur ditën e sotme prej 10 kg është hera e 5-të nga policia, ndërsa më herët më 29 korrik kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë në vijim të operacionit “Rada”. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.
Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘histori’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.
/a.r